Rreth orës 18:40 ky ari ka zbritur në fshatin Pousko të Prizrenit ku i ka shkaktuar dëme një banori të këtij fshati. Këtë e ka konfirmuar  Policia rajonale e Prizrenit.

Duke u Ngarkuar...

“Rreth orës 18:45 familjari Ajradin Skenderi nga fshati Pousko ka paraqitur rastin në polici. Në momentin që ka arrit policia në vendngjarje kanë qenë dy qingja të mbytur, kurse sipas ankuesit edhe 6 dele nuk dihet a janë të mbytura apo jo. Ankuesi ka deklaruar se rasti ka ndodhur në orën 07:00 të mëngjesit”, ka deklaruar Shaban Osmanolli zëdhënës i policisë rajonale të Prizrenit .

Kjo çështje u bë e madhe në Kosovë pasi ky ari mbyti 38 dele në dy lokacione të ndryshme dhe dëmtoi pesë koshere me bletë. Drejtoria  Qendrore e Inspekcionit për Pylltarët dhe Gjuetarët e  Agjencisë Pyjore të Kosovës ka marrë vendim për vrasjen e “Ariut ”.

Në bazë të këtij vendimi kjo kafshë është shpallur “Kafshë përkohësisht dëmtuese”, ndërsa vendimi i është dërguar Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Prizrenit, duke i dhënë asaj autorizimin për vrasjen e kafshës së “egër dëmtuese”, e cila, sipas tyre, afrohet në afërsi të vendbanimeve.

Por Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se ariu nuk do të mbytet dhe deklarata në fjalë është keqkuptuar.

Zëvendësministri i kësaj ministrie, Vesel Krasniqi ka deklaruar se ligji s’lejon të vriten kafshët.

“Edhe ne kemi tentuar përmes inspektoratin të bëjë asgjësimin, por jo vrasjen. Për shembull përmes gjilpërave, jo për t’ia marrë jetën. S’jemi për t’ia marrë jetën. S’është lexuar mirë, apo ai që e ka shkruar ka gabuar me një fjalë apo diçka të tillë. Qëllimi ishte të bëhet asgjësimi. Të lihet në zona të tjera e jo në zona të banuar. Ne si institucion nuk guxojmë të bëjmë një gjë të tillë”, ka deklaruar Krasniqi.

- SPONSOR -