Dieta ketogjenike dhe agjërimi me intervale kohore të caktuara (intermittent fasting) janë dy strategji ushqimi që kanë shumë të përbashkëta. Të dyja nxisin ketonet (molekula që formohen nga acidet yndyrore të mëlçisë) dhe të dyja e nxisin trupin të djegë yndyra. Të përdorura bashkë janë një tandem i fuqishëm. Në fakt, ithtarët e dietës ketogjenike i përdorin së bashku këto strategji, për të nxitur humbjen e peshës, për të rritur energjinë dhe për të zgjatur jetën. Një lëvizje me mend kjo, duke parë që dobitë e këtyre dy metodave janë provuar shkencërisht si të vërteta. Por, si fillim, çfarë janë dieta keto dhe agjërimi me intervale të caktuara dhe si funksionojnë ato individualisht?

Dieta ketogjenike

- SPONSOR -Smiley face

Dieta ketogjenike është një regjim ushqimor me pak karbohidrate dhe shumë yndyra. Qëllimi kryesor i kësaj diete është të induktojë ketozën, një gjendje metabolike, në të cilën trupi nuk përdor më glukozën si karburant, por yndyrat.

Arsyeja pse trupi djeg yndyra në mungesë të glukozës është nevoja për të siguruar energji për qelizat dhe për të prodhuar ketone për ushqyerjen e trurit. Ketonet janë molekula të tretshme në ujë, të cilat zëvendësojnë glukozën, kur marrja e karbohidrateve është e ulët. Në fakt, dieta ketogjene u konceptua për të ndihmuar fëmijët me epilepsi. Ideja lindi diku në vitin 1920. Studimet në atë kohë provuan se, një regjim me yndyra të larta dhe karbohidrate të ulëta shkakton sasi të lartë ketonesh, dhe një regjim me më shumë yndyra është më i shëndetshëm për trurin.

Me kalimin e dekadave, hulumtuesit zbuluan që dietat keto japin përfitime të tjera, përpos atyre për sëmundjen e epilepsisë. Sot, entuziastët e mirëqenies dhe shëndetit e praktikojnë dietën keto me shumë dashamirësi. Megjithatë, shumica e praktikojnë për të rënë në peshë apo për të ulur diabetin. Njohuritë bazike mbi agjërimin me interval kohor të caktuar Agjërimi me interval kohor të caktuar ka të bëjë më shumë me kohën e ushqyerjes, sesa me atë çka hamë. Është një strategji ushqimore e bazuar në interval të caktuara kohore dhe jo në reduktim të kalorive apo të ushqimeve specifike. Gjatë këtij regjimi ushqimor, agjërohet dhe hahet me intervale kohore të caktuara dhe specifike. Për shembull, mund të kalohet mëngjesi dhe vakti i ardhshëm të jetë darka. Ky lloj regjimi ka metoda të ndryshme aplikimi, por tri më të rëndësishmet dhe më të përdorurat janë:

Kapërcimi i një vakti

Kjo metodë është e njëjtë me atë të kapërcimit të mëngjesit. Megjithatë, mund të kapërcesh cilin vakt të duash. Disa preferojnë mëngjesin, disa të tjerë drekën, ndërsa disa të tjerë darkën.

Intervalet e ushqyerjes

Kjo është metoda më e përhapur dhe e përdorur për t’iu afruar këtij agjërimi. Pra, agjërim me intervale kohore të caktuara. Zakonisht, intervaleve të agjërimit iu referohemi me numra si 16/8 (16 janë orët e agjërimit dhe 8 orët në të cilat mund të konsumohet ushqim).

Agjërim duke alternuar ditët

Kjo metodë përfshin disa ditë agjërim në javë dhe disa ditë ushqim të zakonshëm. Kjo është metoda më  e vështirë. I gjithë qëllimi i dietës së agjërimit me intervale është reduktimi i sasisë së ushqimit që marrim në një ditë. Kur ushqehemi, kujdesemi që të kemi një sasi  të caktuar ushqimi. Duke reduktuar kohën e ushqyerjes, në total ka një reduktim të madh të ushqimit, krahasuar me një regjim normal me tri vakte. Një arsye tjetër pse agjërimi me intervale është kaq i suksesshëm është edhe për shkak të djegies së yndyrave. Kur jemi në fazë agjërimi, trupi është i detyruar të djegë yndyra që t’ju furnizojë me energji. Gjatë këtij procesi, ai i shndërron yndyrat në ketone, për të furnizuar trurin dhe organet e tjera.

Pse funksionon dieta me intervale kohore të caktuara?

Kultura globale e përdor agjërimin ose ushqyerjen me intervale kohore të caktuara si pjesë të një praktike spiritual apo pjesë të mjekësisë alternative. Edhe Hipokrati, babai i mjekësisë moderne, e këshillonte mosngrënien ose abstenimin nga ushqimi, si trajtimin më të mirë për çdo lloj shqetësimi. Ndërkohë, ditët e sotme studiuesit që studiojnë efektet e mosngrënies në trurin e njeriut, kanë arritur në përfundimin që mosngrënia e herëpashershme është pozitive për shëndetin. Deri tani, studimet kanë treguar që mosngrënia, por jo kequshqyerja, është një nga provat kryesore të jetëgjatësisë. Duke folur për uljen e sasisë së kalorive, kjo është dhe arsyeja kryesore pse mosngrënia ka sukses. Mbiushqyerja shkakton obezitet, diabet, kolesterol të lartë, probleme me zemrën; sëmundjet më të njohura sot në botë. Mosngrënia ka rezultat, sepse ajo shkakton ndryshime në metabolizëm dhe në procese biokimike në nivel qelizor.

Dobitë e mosngrënies me intervale kohore të caktuara

Tani që shpjeguam se si funksionon mosngrënia me intervale kohore të caktuara, erdhi koha të tregojmë dobitë e këtij regjimi. Nga humbja e peshës e deri te shërimi nga sëmundje të ndryshme, merrni shënim të gjitha përfitimet që do të keni. Humbje peshe Kthjelltësi mendore Përmirësim i performances fizike Parandalim i sëmundjeve Jetëgjatësi

Nga t’ia nisim

Gjatë regjimit të mosngrënies nuk është nevoja për një planifikim paraprak ose për shumë organizim. Ajo çka duhet të bëni është që të mos hani për një periudhë kohe. Intervalet e kohës së ushqimit dhe mosushqimit mund të zgjidhen sipas dëshirës. Rëndësi ka që të merret doza e rekomanduar ditore e makronutrientëve, pra 12-35 % (proteina, karbohidrate, yndyra, fibra dhe ujë) dhe çdo gjë është në rregull. Është e rëndësishme që të organizohemi dhe të kujdesemi, sepse trupi ynë e adhuron rutinën. Nëse do të prishni dietën e mosngrënies, kujdesuni që të ushqeheni ngadalë, për të shmangur mbingopjen. Është e rëndësishme të llogarisim sasinë e makroelementeve dhe kaloritë për të marrë vaktet në varësi të saj. Mos mendoni se një filxhan kafe nuk do të prishë mosngrënien. Çdo gjë që përmban kalori, e prish këtë regjim.

MASA TË NEVOJSHME

Shtatzënia

Nëse jeni shtatzënë ose duke dhënë gji, agjërimi me intervale kohore të caktuara nuk bën për ju. Ky lloj regjimi mund të jetë i rrezikshëm për fëmijën.

Diabeti

Nëse jeni diabetikë, duhet të keni kujdes me këtë lloj agjërimi. Kujdesuni që të monitoroni nivelin e glukozës dhe bisedoni me mjekun për rregullimin e ilaçeve. Ndoshta duhet të ndërroni dozat e insulinës, duke parë se agjërimi ndikon fuqishëm në nivelin e glukozës.

PËRFITIMI

kryesor i kësaj diete është pa dyshim humbja e peshës. Përfitime të tjera përfshijnë:

Qartësi mendore
Përmirësim energjie
Parandalim kanceri
Përmirësim i kushteve neurologjike (epilepsi, alzhajmer, migrenë)
Shuarje oreksi
Kontroll i diabetit
Reduktim kolesteroli
Ekuilibrim hormonal

 

Nga Zhaklin Lekatari

- SPONSOR -Smiley face