Sekretarja e Brendshme britanike, Amber Rudd ka dhënë dorëheqje këtë të dielën pasi Qeveria e kryeministres, Theresa May është kritikuar ashpër për trajtimin e disa banorëve me prejardhje nga Karaibet, të cilët ishin shënjestruar gabimisht si emigrantë të paligjshëm.

Dorëheqja e njërës prej aleateve kryesore të May, përbën shqetësim për këtë të fundit teksa futet vitin e fundit të negociatave për Brexit.

Duke u Ngarkuar...

Në letrën e dorëheqjes, Rudd ka thënë se ajo ka mashtruar pa qëllim një komitet parlamentar javën e kaluar, duke mohuar se Qeveria ka caktuar objektiva për dëbimin e migrantëve ilegalë.

Rudd nënvizon se ajo merr përgjegjësi të plotë për faktin se nuk ishte në dijeni që informacioni që i ishte dhënë zyrës së saj përmendte objektiva. May ndërkohë ka pranuar dorëheqjen e saj.

Për dy javë, ministrat britanikë janë përpjekur për të kuptuar pse disa pasardhësve të të ashtuquajturit “Brezi Windrush”, u janë mohuar të drejtat bazike.

Ky skandal ka lënë në hije Samitin e Komonuelthit të mbajtur në Londër dhe ka ngritur shumë pikëpyetje lidhur me qeverisjen e May si Ministre e Brendshme, para se të fitonte mandatin e kryeministres.

Sekretarja e Brendshme në hije, Diane Abbott, që në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar Rud të largohet, tha se ajo bëri atë që duhej.

Sipas saj, arkitektja e kësaj krize, Theresa May, duhet të dalë në dhomën e komuneve për të dhënë shpjegime nëse ajo kishte dijeni se Amber Rudd ka keqinformuar parlamentin dhe publikun, javën e kaluar.

Vetë May tha se i vinte shumë keq të shikonte zonjën Rudd të largohej nga ministria e brendshme dhe se ajo duhet të ishte krenare për punën e bërë. Pasuesi i Rudd, pritet të bëhet i ditur në orët në vijim.

- SPONSOR -