Mbrëmjen e djeshme është mësuar se një shtetas shqiptar është gjendur i pajetë në verilindje të Australisë. Të dhënat e para të policisë australiane kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një luftë mes bandave të drogës, ku dyshohet se shqiptari në momentin e ekzekutimit ka qenë duke transportuar një sasi të konsiderueshme droge. Policia ka qenë mjaft e rezervuar ditën e djeshme duke mos lejuar daljen e emrit të viktimës për të bërë të mundur vijimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Lajmi është transmetuar në një media vendase, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë kombësia ka shqiptari i ekzekutuar.

Duke u Ngarkuar...

Mbrëmë u tha se: “Një person është gjetur i vdekur në verilindje të Australisë. Media australiane “7 Neës”, raporton se viktima është me shtetësi shqiptare, por nuk jep të dhëna e detaje mbi gjeneralitet e tij”. Vrasja dyshohet se mund të jetë kryer ditë më parë, por policia ka marrë sinjalizimin për të kryer kontrollet ditën e premte, ditë kjo e cila u konkretizua me zbulimin e krimit. Ditën e sotme në vendngjarje kanë shkuar detektivët, të cilët kanë nisur menjëherë për të zbuluar elementë që mund t’i vënë në adresë të autorëve. Pista paraprake ku dyshon edhe policia ka të bëjë me pazaret e drogës. Shqiptari është ekzekutuar brenda në banesë, ndërsa autorët kanë marrë një sasi të konsiderueshme droge, por edhe makinën e shqiptarit të vrarë. “Ky njeri duket se ka qenë viktimë e një sulmi të rëndësishëm dhe për arsye operacionale nuk mund të hyj në detajet e ngjarjes”, tha për mediat Inspektori Billy Thompson.

Shqiptarët prej shumë vitesh kanë kapur edhe tregjet e rëndësishme të drogës, që nga Kandaja e Australia e deri në zemrën e trafikut të narkotikëve, në Amerikën Latine. Po ashtu prej disa vitesh, grupet rivale të trafikut të drogës që operojnë në Kolumbi, Panama e deri në Bolivi kanë krijuar hakmarrje të fuqishme duke sjellë edhe eleminime fizike mes kundërshtarësh. Vetëm dy viteve të fundit janë njohur katër raste ekzekutimesh të bujshme në Bolivi dhe Kolumbi mes trafikantëve nga Shqipëria dhe shqiptarët e Malit të Zi, ekzekutime që sipas të dhënave janë pasuar edhe në Shqipëri. Por beteja për zotërimin e tregut të drogës, kryesisht të kokainës, ka bërë që autoritetet tona të jenë gjithnjë të pafuqishme të merren me autorët e për pasojë gjithnjë vasje të tilla mbeten jo vetëm pa autorë po edhe pa shkaqe!

- SPONSOR -