Për shumëkënd ai njihet si spikeri i edicioneve informative për shkak të rrugëtimit të tij mediatik, por njëherësh me të njëjtin pasion dhe seriozitet i përkushtohet profesionit jashtë medias. Harbi Aliaj me një eksperiencë të gjatë në ekran, në këtë intervistë ekskluzive për mulliri.al komenton dy anët e peshores së profesioneve të tij; moderimit të lajmeve dhe avokatisë.

Duke u Ngarkuar...

Harbi si është përditshmëria juaj në ekran dhe jashtë tij?

Dita ime nis herët në mëngjes dhe përfundon pas mesnate. Pjesa e paradites me gjen në zyrën time, ku pi kafen e mëngjesit dhe shfletoj titujt e gazetave. Më pas shikoj postën elektronike dhe përqëndrohem në axhendën e ditës. Dua të them se asgjë nuk i’a lë rastësisë. Si avokat pres dhe takoj shumë njërëz, bisedoj dhe jap këshilla ligjore, mbroj dhe përfaqësoj klientët e mi në Gjykatë në të gjithë Shqipërinë. Është një rutinë që më jëp kënaqësi, i dedikohem tërësisht. Munohem të jap maksimumin jo vetëm që të arrij synimet që vendos së bashku me klientët e mi, por njëherësh nuk harroj më të rëndësishmen; të jem gjithmonë efikas dhe i dobishëm. Lexoj shumë, më pëlqen letërsia e jurisprudencës, kjo lloj letërsie është sa e thellë, aq edhe e hollë. Të përpin dhe të zgjon fantazi problematikash që hasen në jetën e përditshme. Nuk lodhem asnjëherë duke shfletuar shkrime që lidhen me analiza të instituteve të së drejtës. Jam i lumtur që ushtroj profesionin e avokatit. Këtë profesion e kam pasur ëndërr që në fëmijëri.

FOTO: Mulliri.al

Pas gjyqeve si vijon dita juaj?

Pas  përfundimit të gjyqeve merrem me axhendën e ditës pasuese dhe më pas shkoj në palestër. Pasditja më gjen në televizion, me  një tjetër atmosferë dhe tjetër impenjim. Pjesa e dytë e ditës për mua është po aq e rëndësishme sa e para pasi ekrani është privilegj që të dikton përgjegjësi. Mundohem të jem gjithmonë serioz. I jap rëndësi çdo sugjerimi dhe kritike të eprorëve dhe kolegeve. Për mua të lexosh lajmet në televizion është më shumë se sa një mundësi që të jesh i njohur, është si të thuash një thikë me dy presa; duhet të meritosh atë që të sjell ekrani, përndryshe çdo gjë kthehet në bumerang. Unë jam tip emotiv, kjo gjë mendoj se më ndihmon shumë në profesionin e avokatit, ndërsa në atë të spikerit të lajmeve mundohem të jem më empatik, të fsheh emocionet për aq sa mundem. Mbrëmja në shtëpi me familjen është koha më e bukur, ku diskutoj për ditën që kam kaluar, shikoj filma dhe sërish lexoj. Pra dita ime fillon me emocione të klientëve dhe mbaron me emocionet e kamerës dhe ekranit. Për mua e gjithë kjo është bekim dhe për këtë i jam mirënjohës Zotit.

FOTO: Mulliri.al

A do donit të bënit diçka tjetër në jetë?

Jo! Asgjë tjetër. Unë kam disa kualifikime, por avokatia dhe ekrani janë pasione që nuk do i ndërroja me asgjë tjetër. Nuk ka asnjë ditë të vetme që nuk çmoj këto dy mundësi profesionale që më mbushin jetën dhe dëshirën për të ecur përpara. Avokatia dhe leximi i lajmeve kanë deri diku pika të përbashkëta. Të dyja në thelb kanë komunikimin formal. Unë jam i dashuruar me togën e zezë dhe ekranin, dhe do iu qëndroj besnik.

Midis avokatisë dhe spikerimit, cilën do të zgjidhnit?

Unë e kam nisur karrierën time si folës, më pas si gazetar terreni ku u pasurova profesionalisht dhe krijova shumë kontakte. Pas diplomimit tim si jurist e kuptova se duhej të angazhohesha më shumë në fushën e së drejtës. Për këtë qëllim ju përkushtova profesionit të avokatisë. Dua të zgjedh avokatinë si mundësi për të parandaluar padrejtësitë në shoqëri dhe, ekranin dhe median si armë për të transmetuar të vërtetën dhe realitetin e shoqërisë.

FOTO: Mulliri.al

Të dyja janë profesione impenjuese, si ja dilni që t’i realizoni më së miri?

Nuk ka mjet që mat pasionin. Unë mundohem të jem serioz, i drejtë dhe t’i dedikohem plotësisht të dyjave. Në të njëjtën kohë që jam avokat, jam edhe gazetar. Me këtë dua të them se shqisat profesionale i mbaj zgjuar gjithmonë. Raportin me të dy profesionet e mbaj gjithmonë konstant për t’i  dhënë vetes mundësi që të jem i plotësuar.

E mbani mend ditën e parë të punës si avokat dhe ditën e parë të punës si spiker lajmesh në televizion?

Po, padyshim që po. Janë dy ditë që nuk do i harroj asnjëherë. Ndiej gjithmonë emocion kur i kujtoj. Si avokat mora pjesë në një proces penal në Gjykatën e Rrethit  Gjyqësor në Shkodër, ku asistoja mbrojtjen e një të riu i cili akuzohej për gjakmarrje. Atë ditë përjetova shumë ndjesi të çuditshme. Ishte hera e parë dhe shoqëroja mentorin tim profesional, avokatin e shquar  Idajet Beqiri nga i cili kam mësuar shumë dhe i jam mirënjohës për praktikën profesionale. Ndërsa daljen time të parë në televizion e mbaj mend sikur të kishte ndodhur dje. Ishte data 23 Gusht e vitit 2006. Mundësinë për tu bërë pjesë e medias profesionale ma dha gazetarja e mirënjohur Anila Jole e cila në atë kohë ishte drejtore e Televizionit A1. Ishte një shanc që edhe sot e vlerësoj si vendimtar për ndërtimin e personalitetit tim publik. Joles, nuk lodhem asnjëherë duke ia përsëritur mirënjohjen për atë që ka bërë për mua afro një dekadë më parë. Jam krijesë mediatike e saj dhe më pëlqen që ajo më ka dhënë një jetë tjetër…, atë të ekranit që është një magji e vërtëtë.

FOTO: Mulliri.al

Si avokat ju mbroni njerëz në Gjykatë, por a keni lënduar ndonjëherë?

Pa dashje mendoj se kam lënduar dhe jam lënduar. Me dashje asnjëherë. E kam fjalën në raportet miqësore, ndërsa në ato intime, dua të jem i sinqertë; gjithmonë jam treguar altruist dhe xhentil. Unë i përkas shenjës së gaforres në horoskop dhe karakterizohem nga dëshira për të dhënë më të mirën time. Dashuria për mua është e vetmja ndjenjë sublime që i përulem.

Ku e keni dhënë betimin e parë të dashurisë?

Betimin e parë të dashurisë e kam dhënë në Kalanë e Porto Palermos, që u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena për bashkëshorten e tij në shenjë të dashurisë mes tyre. Për mua nuk ishte thjesht një betim, ishte më shumë se kaq. Është një premtim solemn që duhet ta përmbushësh me vullnet. Besoj se kam qenë tërësisht i vërtetë ndaj atij betimi. Jam edhe tani.

FOTO: Mulliri.al

A ju pëlqejnë avenurat?

Po, më pëlqejnë shumë, veçanërisht që të eksploroj natyrën. Me shoqërinë time mundohem të shkoj në vende të virgjëra dhe të shkelura rrallë.

Ku do t’i kaloni festat?

Tre vitet e fundit i kam kaluar në New York, ku kam një pjesë të familjes sime. Kisha planifikuar që të shkoja sërish edhe ketë fundvit atje, por për shkak të impenjimit në punë e kam të pamundur. E dua shumë New Yorkun dhe e konsideroj vendin më të bukur në botë. Në këto kushte ndryshova planet dhe Krishlindjen dhe natën e ndërrimit të viteve do t’i kaloj në Tiranë. Kam shumë miq dhe besoj se do e kaloj bukur këtë periudhë kohore.

- SPONSOR -