Lajmi “më i famshëm” i momentit që bëri shumë bujë në mediat e huaja dhe shqiptare mban emrin e Harvey Weinstein. Shpërthimi i skandalit të Weinstein po prek edhe meshkuj të tjerë në Hollivud. Disa përdorues të Twitterit kërkojnë që Ben Affleck të mos e interpretojë më Batmanin. Kjo vetëm një muaj përpara debutimit të “Ligës së drejtësisë”. Arsyeja e kësaj kërkese janë lidhjet e tij me manjatin e turpëruar hollivudian, por edhe akuzat se vetë aktori i pashëm ka pjesën e vet të ngacmimeve. Ben Affleck kërkoi ndjesë për faktin që në 2003-shin i ka prekur gjoksin një kolegeje, Hilarie Burton, një moment ky i regjistruar në kamera. Por skandali thellohet më shumë.

Smiley face

Edhe artisja e makeup-it Annamarie Tendler foli për sjelljen e pahijshme të Affleck ndaj saj në festën e Golden Globe në 2014-tën. Matt Damon dhe Russel Crow gjithashtu thuhet të kenë mbuluar bëmat e producentit, ndërsa Brad Pitt kritikohet që nuk e denoncoi veprimin e tij, kur mori vesh se i kishte ngacmuar të fejuarën e atëhershme, Guineth Paltrow.

Weinstein tani përballet jo vetëm me shkatërrimin e karrierës së vet, shembjen e martesës dhe valën e indinjatës që shtohet dita-ditës, por edhe me hetimet e çelura prej policisë amerikane e asaj britanike për agresion seksual, të lidhura me një episod që daton që në vitet 1980 e të tjera në 2004-tën.