Teatri Metropol, pas një viti të suksesshëm artistik vjen në këtë sezon me imazh të ri dhe projekte shumë ambicioze. Produksionet e Metropolit, janë premiera absolute, si në Shqipëri ashtu edhe disa prej tyre në Ballkan e Europë. Sezoni i ri artistik në Metropol fillon me Euriditën, e më pas me Festivalin e Dramës Shqipe, “Metrofest”, “Nata e 12”, “Romeo e Zhuljeta” për të rinj dhe “Don Kishoti” për fëmijë.

- SPONSOR -Smiley face

“Aktualisht jemi duke bërë ribrendimin e Metropolit si një teatër urban, që i përgjigjet nevojave intelektuale dhe estetikës që ka Tirana sot, duke i ofruar publikut të kryeqytetit, vepra që shihen në Londër, Berlin a New York. Mënyra se si publiku ynë po avancon dhe askesi që ka në njohuri, meriton t’i demonstrojmë vepra bashkohore, të servirura në mënyrë cilësore, që i shërbejnë një komuniteti të larmishëm në moshë,  prejardhje apo botëkuptime”, shprehet drejtoresha e Metropol, Jonida Beqo.

Në këto dy vite të sukseshme në Teatrin Metropol, me një numër spektatorësh prej 67 000 vetë janë vënë vepra teatrore shqiptare dhe botërore me nivel të lartë artistik, të cilat kanë promovuar gjithëpërfshirjen, dialogun konstruktiv, dhe vlerat njerëzore universale.

“Teatri Metropol është duke krijuar një identitetit të ri, që lidhet me identitetin e qytetit.  Ndaj për të qenë sa më pranë publikut është i rëndësishëm ribrendimi edhe prezenca jona si me shfaqje brenda hapësirave fizike të teatrit po aq edhe me shfaqje pranë publikut. Gjithashtu edhe me prezencën dhe komunikimin tonë në media apo rrjete sociale. Këto ditë do të nis funksionimi i faqes sonë të webit www.teatrimetropol.al nga ku do të bëhet edhe rezervimi online i biletave”, shton më tej Beqo.

Teatri Metropol punon me platforma edukative si për shfaqjet për fëmijë, po ashtu edhe për shfaqjet për të rinj. Përgjatë dy viteve  në Teatrin Metropol janë dhënë 27 premiera, përfshirë këtu shfaqje për të rritur, të rinj dhe fëmijë, si dhe tre koncerte. Në këtë shifër nuk përfshihen koncertet e Ansamblit Tirana apo Bandës së Qytetit.

Nga Janari 2016 deri në qershor 2017 janë aktivizuar në Teatrin Metropol, 129 aktore femra dhe 85 aktor meshkuj, nga këto 56 aktor me eksperiencë dhe 151 të rinj. Të ndara me përqindje rezultojnë 59 % femra dhe 41 % meshkuj dhe 27 % me eksperiencë dhe 73 % të rinj.

 

- SPONSOR -Smiley face