- SPONSOR -Smiley face

I pasionuar pas fotografisë dhe videove, vllogeri 12-vjeçar Brahim Sejdia numëron shumë pasione, që nga sportet e deri tek teknologjia. Por duke qenë se kjo e fundit e ka joshur më shumë, ai ka eksploruar për të zbuluar gjëra të reja. Ka kompletuar mjetet e punës së tij, pasi është i ingranuar në ‘lodrat’ më të fundit të teknologjisë, të cilat nuk dëshiron t’i ketë thjeshtë për hobi, por t’i përdorë në funksion të një punë të bukur në fund, për të arritur aty ku do të ëndërronte çdokush.

Është eksplorues vendesh dhe i pëlqen shumë të ndajë idetë e tij me miqtë më të mirë, sidomos kur bëhet fjalë për teknologjinë. Të gjitha aparaturat më të fundit për realizimin e videove profesionale tashmë ndodhen në dhomën e Brahimit. Jo vetëm kaq! Ai studion në shkollën amerikane “Tirana Internacional School”, dhe është zgjedhur nga stafi i shkollës, të kujdeset për eventet, që të jenë të xhiruara në mënyrë profesionale. Brahimi studion edhe piano, dhe luan futboll. Por më shumë lidhur me pasionet e jetës, i zbulon në këtë intervistë për Mulliri.al.

Brahim, si lindi pasioni për të qënë vlloger? 

Brenda vetes kam ndier gjithmonë se më ka pëlqyer shumë teknologjia dhe në kohën time të lirë shikoja gjithmonë YouTube dhe rastësisht një ditë pashë një video të një vllogeri amerikan, Casey Neistat, vllogeri më insipirues  për mua, dhe që nga ajo ditë fillova të bëj video dhe të kem kanalin tim në YouTube.

Ke pasur pengesa për të realizuar këtë ëndërr?

Sigurisht që çdo fillim ka pengesat e veta, por me punë dhe përkushtim çdo gjë mund ta arrish me sukses. Të jesh vlloger është shumë vështirë sepse nuk duhet të vish çdo herë i përsëritur tek audienca jote, duhet të zgjedhësh mirë atë që bën dhe atë që do të paraqesësh te ndjeksit e tu.

 

Na trego pak më shumë, procesi i punës tënde që nga xhirimi deri te faza përfundimtare…

Hapi parë është që mendoj se çfarë teme do të organizoj sot dhe si mund ta trajtoj. Më pas zgjedh momentet më kulminante, i përshtas një muzikë të bukur që shikuesin ta tërheqi video që unë kam përgatitur, pastaj vjen faza e prerjes dhe e modifikimit, dhe më pas nuk po tregoj më shumë sepse e kam strategji të punës sime, nuk i tregoj sekretet e punës. Kaq besoj mjafton.

Një djalë 12-vjeçar si ty, a ka pasione të tjera?

Ka qenë dikur futbolli pasion e më pas boksi deri sa sot besoj se kam arritur në fazën që të kuptoj se çfarë dua!

Çfarë vendi zë sporti tani në jetën tënde?

Zë një vend të rëndësishëm! Çdo ditë unë kam oraret e mia ku ushtrohem dhe bëj ushtrime fizike edhe pse shumë i impenjuar me shkollën, unë arrij të gjej kohën edhe për sport.

A e ka zëvendësuar teknologjia futbollin?

Po!

Dimë që pasioni yt është kthyer tashmë edhe në një ‘profesion’, edhe pse ti je ende i vogël. Shkolla ku mëson  të ka besuar aktivitetet më të rëndësishme të saj. E roli yt është regjisori i projekteve apo jo?

Po, është e vërtetë! Në fakt ndihem i lumtur që në një moshë kaq të vogël kam arritur të realizoi projekte kaq të mëdha që ka pasur shkolla ime.

Pra, e shikon regjinë si profesionin e  të ardhmes?

Po e shikoj veten një regjisor filmash! Dua të jem një vlloger profesional që më pas të arrij të jem një regjisor filmash i famshëm. Unë besoj se me punë do t’ia arrij.

Dëshiron ta vazhdosh karrierën brenda vendit apo jashtë vendit dhe nëse do ishte jashtë vendit, cili është vendi që ti do të preferoje të ndërtoje karrierën tënde?

Karrierën time dhe studimet e larta dua ta vazhdoj në Nju Jork, kurse filmat e mi dua të xhirohen në Hollivud.

- SPONSOR -Smiley face