Kanceri i gjirit është një tumor malinj që fillon nga qelizat e gjirit. Një tumor malinj është një grup qelizash kanceroze, të cilat mund të rriten e të pushtojnë indet përreth ose mund të metastazojnë (përhapen ) në zonat e largëta të trupit. Kanceri i gjirit ndodh kryesisht te femrat, por mund të preken gjithashtu edhe meshkujt. Për shumë njerëz kjo mund të duket e çuditshme prandaj si fillim duhet të kemi një informacion të përgjithshëm për strukturën e gjirit.

Cila është struktura normale e gjirit?

- SPONSOR -Smiley face

Gjiri është i përbërë nga lobulet (gjëndrrat që prodhojnë qumështin te femrat), nga duktuset ose kanalet (tuba që bartin qumështin nga lobulet për të dalë) dhe nga stroma (ind lidhor dhe dhjamor që ndodhet përreth lobuleve, duktuseve, enëve të gjakut dhe enëve të limfës). Deri në moshën e pubertetit djemtë dhe vajzat ( rreth 13 ose 14 vjeç) e kanë pak të zhvilluar gjirin, gjë e cila konsiston në disa kanale (duktuse) të vendosura nën aureolë (zona me ngjyrë kafe) dhe nën pjesën e majës. Në moshën e pjekurisë, vezoret tek vajzat prodhojnë hormonet femërore të cilat bëjnë që të rriten kanalet, të zhvillohen lobulet në fund të tyre dhe të shtohet sasia e indit lidhor dhe dhjamor. Kurse tek meshkujt, hormonet mashkullore që prodhohen në testikuj pengojnë zhvillimin e indit të gjirit. Rritja e tij konsiston në ndonjë kanal dhe ndonjë lobul. Por, ashtu si të gjitha qelizat e tjera të trupit, edhe qelizat e duktuseve te meshkujt mund të degjenerojnë në qeliza kanceroze. Por, kanceri i gjirit është më pak i zakonshëm tek burrat për faktin se këto qeliza nuk janë shumë të zhvilluara dhe nuk janë në mënyrë të vazhdueshme nën ndikimin e hormoneve femërore.

Cilët janë faktorët predispozues të kancerit të gjirit në meshkuj?

  • Kancere të ndryshëm kanë faktorë të ndryshëm rreziku. Për shembull kanceri i lëkurës ka faktor rreziku rrezet e Diellit, kanceri i mushkërive ka konsumimin e duhanit, alkoolizmi ndikon në kancerin e mëlçisë, të zorrës etj. Por, faktorët e rrezikut nuk janë gjithçka. Duke pasur një ose disa faktorë rreziku nuk do të thotë se duhet të zhvillojmë patjetër atë sëmundje. Nuk ka asnjë mënyrë për të provuar se ky apo ai faktor rreziku ka shkaktuar kancer.
  • Megjithatë si për femrat edhe për meshkujt, kanceri i gjirit është i lidhur me hormonet seksuale. Plakja është një faktor i rëndësishëm për kancerin e gjirit në meshkuj. Moshat ku është diagnostikuar më shpesh kjo sëmundje është ajo rreth moshës 65 vjeç.
  • Rreziku rritet nëse anëtarët e tjerë të familjes (me lidhje të ngushtë gjaku) kanë pasur kancer gjiri. Rreth 1 nga 5 meshkuj me kancer gjiri kanë pasur të afërm të ngushtë mashkull apo femër me këtë sëmundje.
  • Një faktor të lartë rreziku përbën sindromi “Klainfelter”. Kjo është një gjë e lindur që prek 1 në 1000 meshkuj. Normalisht qelizat në trupin e meshkujve kanë një kromozom X dhe një kromozom Y (që përcaktojnë seksin) kurse ato të grave kanë 2 kromozome X. Në “sindromin Klainfelter” te meshkujt kemi të paktën 2 kromozome X (mundet dhe 4) dhe një Y. Këta meshkuj kanë testikuj të vegjel dhe shpesh kanë çrregullime në prodhimin e spermatozoideve, të domosdoshëm për pjellorinë. Ata kanë nivele të ulëta të androgjeneve (hormone mashkullore) dhe kanë më shumë estrogjene (hormone femërore) duke zhvilluar shpesh dhe gjinekomastinë (rritje beninje e gjirit).
  • Përdorimi pa kriter i alkoolit rrit rrezikun e kancerit të gjirit për shkak të efekteve toksike që ai ka në mëlçi. Po ashtu negativisht ndikojnë edhe sëmundje të ndryshme të mëlçisë për arsye se ndikon në metabolizmin e hormoneve seksuale. Për shembull burrat me cirrozë të mëlçisë kanë nivele të ulëta të androgjeneve dhe nivele të larta të estrogjeneve, prandaj dhe mund të kenë rritje të rrezikut për kancerin e gjirit.
  • Gjithashtu risk të lartë mund të kenë burrat që marrin terapi estrogjenike për ndryshim seksi ose ata që trajtohen me estrogjene për kancerin e prostatës, por në rastin e fundit, përfitimi për ngadalësimin e kancerit të prostatës është më i madh se rreziku që kanoset. Studimet e fundit kanë treguar se një tjetër faktor i lartë rreziku është obeziteti. Kjo për faktin se qelizat e dhjamit kanë aftësi të kthejnë hormonet mashkullore (androgjenet) në ato femërore (estrogjene). Prandaj në meshkujt obezë ka një nivel të lartë estrogjenesh. Shumica e këtyre burrave nuk kanë nevojë ta rruajnë mjekrën e tyre aq shpesh sa burrat e tjerë.
  • Ushtrimet e rregullta fizike ndikojnë pozitivisht ashtu si edhe për shumë sëmundje të tjera. Ajo që meshkujt mund të bëjnë për uljen e rrezikut është mbajtja e një peshe ideale dhe të mos abuzohet me alkoolin. Tani për tani, strategjia më e mirë për reduktimin e numrit të vdekjeve nga kjo sëmundje është zbulimi sa më herët i saj. Në përgjithësi meshkujt me kancer gjiri paraqiten te mjeku në stade më të avancuara se gratë. Kjo ndodh se ata shpesh i injorojnë gungat e gjirit dhe paraqiten te mjeku kur ato marrin përmasa të mëdha.

Cilat janë shenjat klinike të kësaj sëmundjeje tek meshkujt?

Shenjat dhe simptomat e kancerit të gjirit te meshkujt mund të përfshijnë: një gungë (fryrje) pa dhimbje ose trashje të indit të gjirit, ndryshime të thithës së gjirit të tipit skuqje, çarje, plasaritje ose futje përbrenda të saj, si edhe rrjedhje nga thitha e gjirit. Këto janë shenja që bëjnë të detyrueshëm paraqitjen tek mjeku.

Cilat janë ekzaminimet klinike që duhen kryer për diagnostikimin e sëmundjes?

Ashtu si edhe për femrat edhe për meshkujt, mjeku bën ekzaminimin klinik të gjirit. Ai kontrollon për gunga, sa të mëdha janë këto gunga dhe cili është raporti i tyre me lëkurën dhe muskujt përreth. E rëndësishme është të vlerësohet nëse kanceri është përhapur në nyjet limfatike apo organet e tjera. Ndër mjetet diagnostikuese përmendim mamografinë, ekzaminimi me ultratinguj (EKO), rezonancën magnetike. Biopsia (marrja e indit për ekzaminim) bën përcaktimin e llojit të tumorit dhe agresivitetit të tij. Rëndësi kanë dhe ekzaminimet e tjera për të përcaktuar shkallën e përhapjes së sëmundjes.

Përsa i përket terapisë ajo është mjaft specifike dhe i takon mjekëve specialistë. Por, sot shkenca ka bërë një revolucion të vërtetë në trajtimin e kancerit të gjirit, si për femra ashtu edhe për meshkuj. Në varësi të llojit të tumorit stadit të kapur, trajtimi mund të jetë kirurgjikal, me radioterapi, kimioterapi ose i përzier sipas rastit. Ndërsa përsa i përket profilaksisë, rekomandohet eliminimi sa më shumë të jetë e mundur i faktorëve të rrezikut që predisponojnë për këtë sëmundje dhe një jetë e shëndetshme dhe me aktivitet të rregullt fizik.

 Burimi: Gazeta Dita

- SPONSOR -Smiley face