Dritëro Agolli do të festonte sot ditëlindjen e 86-të të tij. Edhe pse ai mungonte, familjarë, të afërm, miq, kolegë e shumë dashamirës të vargjeve të tij, u bënë bashkë për të respektuar kujtimin e shkrimtarit tonë të madh, Dritëro. Në fjalën e saj të mirëseardhjes, e bija e tij, Elona Agolli, dukej se e kishte mjaft të vështirë të fliste për të atin, në këto  muaj ë mungesa e tij ka enë prezente. Më poshtë, ju sjellim fjalën e saj te plote të mbajtur në ceremoninë e organizuar “Një pasdite me Dritëroin”.

- SPONSOR -Smiley face

Fjala e plote e Elona Agollit

“Fort të dashur miq,

Miq e dashamirës të babait tim Dritëro,

Nuk më ka ndodhur askurrë të jem si sot.

Të jem e mallëngjyer, por edhe e fortë dhe e lumtur.

Me mall pasi më mungon figura atërore që per mua ishte më tepër se Ati; ai ishte edhe mësonjësi im, kultivuesi i çdo virtyti, shije, dashurie, përulësie, mirësie ndaj njeriut e vendit tim. E lumturuar pasi sot, babai im, Dritëroi, ka mbledhur kaq shumë  miq, kaq shumë dashuri.

Do të doja këtë mbrëmje të rrëfeja një ndodhí: Jo më larg se para një viti, një pasdite im atë nuk ndjehej mirë. E gjeta shtrirë me ato tubat e hollë të oksigjenit në hundë. Këta dy tubat që futen në hundë, më tha duke buzëqeshur, janë si dy sisë miu e mua më kanë prishur mukozën e hundës, e prandaj e bëj hundën kështu, – dhe me një gjest e lëvizi anën e djathtë të hundës. Atë pasdite ai ishte më meditues se ditët e zakonshme me atë tisin e pesimistit që jo rrallëherë e pushtonte kohët e fundit.

“Kjo shtëpia jonë, – më thoshte – ka shumë dritare. Një të vogël në kuzhinë, një më të madhe më pas, dy të mëdha në sallon e një tjeter të vogël. Hyn vdekja nga dritarja e vogël e thotë: “Erdha!”. – Po pse erdhe kaq shpejt – i them. Shko merre dikë tjetër se ka mjaft të tjerë. Hyn më pas te dritaret e mëdha, e i them përsëri: “Është shpejt. Mos hajde te mua.” Më pas hyn tek ajo e vogla e thotë përsëri: Erdha! Po hajde të këndojmë, – i them. Por mos harro, merr disa që dinë të mbajnë iso. Dhe “e nëmura” doli për të gjetur ato që mbajnë iso e nuk i gjeti dot. E kështu iku edhe nga ajo dritare. Ja kështu, Lona ime. Unë përlotesha. Ndërsa ai nisi të recitonte.

“Jam i gjallë e jam në jetë,

jam në dritë të vërtetë”, – ja kështu thoshte Naimi i madh.

Dhe ai është edhe tani i gjallë, dhe i vërtetë, më i gjallë se të gjallët.

Këtë pasdite të datës së lindjes së babait tim edhe unë them: “Je më i gjallë se të gjallët ati im Dritëro!”. Sot do të lexojmë e recitojmë mes vargjeve shpirtin tënd.

Të dashur miq,

Ndjehem e nderuar sot t’ju paraqes edhe dy botimet më të reja të Shtëpisë sonë Botuese që mban emrin Dritëro. Librin “Nulla dies sine linea” – “Asnjë ditë pa një radhë”, libri i aforizmave, libër i rrallë, unik, me një parathënie të shkëlqyer të Prof. Shaban Sinani, të cilin e falenderoj nga zemra pasi përveç të tjerash kemi qenë aq pranë dhe na ka mirëkuptuar trishtimin tim dhe të nënës sime Sadije, shqetësimet tona për të mos gabuar në përzgjedhje e redaktim, pasi përgjegjësia jonë tanimë ishte më e madhe. Libri i aforizmave dhe i eseve ndriçon më mirë se çdo krijim tjetër frymën filozofike, satirike të artit dritëroian. Jam fort e sigurt që për këdo dhe kudo, ky libër do të jetë bashkëshoqërues i mrekullueshëm dhe ngazëllyes.

Libri i dytë, është “Përmbledhja me poezi për Gruan dhe Dashurinë”. E ka një ngasje edhe botimi i këtij libri.

Më 14 shtator, mamaja ime, e bukura, dhe e mençura nëna ime kishte 75 vjetorin e lindjes. Nuk  mundej që në këtë përvjetor të saj pa Dritëroin të mos mendonim dhuratën më të çmuar që ai i ka lënë asaj, vargjet e tij për të, përjetësimin e dashurisë, lumturisë, gazit, dhimbjes, çdo nuancë të asaj ndjenje të lartësuar të tij për nënën time Sadije. Falenderoj Ilirianin, i cili më shumë dashuri, por edhe me ndjenjë nostalgjie për mjeshtrin, renditi aq bukur mendimet dhe vlerësimet e tij për lirikën e dashurisë të babait tim.

Një miku ynë, duke biseduar për planet botuese para disa muajve, më tha: “Elona, mos i boto njëherësh dy vepra, që të mos i marrin vëmendjen njëra-tjetrës.”  Mëdyshjet më brenin, por vendimin e mora për t’i nxjerrë njëherësh për lexuesin. Kjo datëlindje duhej medoemos shoqëruar me këto dy “krijesa”. Krijesa – monument i dashurisë për jetën, pasi gruaja mbart jetën, pasi gruaja është nëna, pasi gruaja është vijimësia, është trashëgimia. Krijesa – monument i mençurisë dhe thuktësisë Dritërojane, trashëgim i vyer nga populli, që aq shumë e donte, e siç thoshte vetë “Unë të vetmen kredi që marr, e marr nga kredia që më jep Banka e Folklorit”.

Miq të dashur,

Nuk ka sesi poeti i Kombit të ketë datë tjetër përveçse ditës së tij të lindjes.

Ai ka lindur për të mos vdekur kurrë. Ai është në jetë.

Përherë i madh jeton në dejtë e jetës,

Kujtesa mban të ndezur një qiri…

Një monument ky burrë i ngriti vetes,

Atdheu heq kapelen para tij.”

 

 

 

- SPONSOR -Smiley face