“Çdo gjë që nis ta bëj, e nis të menduar mirë, për të mos gabuar. Përfundimet kanë qenë të suksseshme, në karrierë apo në jetë, pikërisht sepse nuk kam cënuar askënd, vetëm kam menduar që çdo gjë të bëhet mirë, ashtu siç duhet të jemi ne në jetë.” Kjo është një frazë që të mbetet në mendje, pasi përfundon intervistën me koreografen Enada Hoxha. E qetë dhe e sigurtë në çdo gjë që thotë, Enada rrëfen ekskluzivisht për mulliri.al emocionet përpara premierës së “Peshkatarët e perlave”, që do të ngjitet sonte (22 shtator) në Pallatin e Kongreseve. Enada tregon punën në Teatrin e Operas dhe Baletit, si edhe marrëdhënien me kolegët, sukseset e saj dhe disa këshilla për balerinët e së ardhmes…

- SPONSOR -Smiley face

Enada Hoxha, prima balerina dhe drejtoreshë e trupës së baletit në TKOB, sa e vështirë ka qënë për ju të arrini deri këtu ku jeni sot?

Kur kthej kokën mbrapa, çd gjë më duket shumë e bukur dhe them se paskam qenë njeri me fat. Sigurisht që ka lodhje, sakrifica, mundime, hera-herës edhe shumë mërzitje sepse është një punë e ngarkuar emocionalisht, fizikisht e mendërisht, sidomos kur bëhet me shpirt bëhet edhe më e ndjeshme. Në fund fare, kur mendoj them se nuk paska punë më të bukur se kjo që bëj.

Si do e veçonit këtë bëshkëpunim me Inva Mulën, cilat janë pritshëmritë tuaja për këtë shfaqje?

Prapë them që jam e lumtur dhe me fat. Bashkëpunimi me Invën ka filluar që herët, para 17 vitesh, në vitin 2000 kur pikërisht ka qenë Inva ajo që në koncertet në Butrint ka kërkuar prezencën tonë, timen dhe të Gertit sit ë ftuar special. Dhe për mua ka qenë një nder i jashtëzakonshëm, kanë qenë fillimet tona dhe të ftoheshe nga një divë siç është Inva sigurisht që është e jashtëzakonshme. E tashmë, pas këtyre viteve kemi mbetur mike të mira që kemi një dashamirësi karshi njera-tjetrës dhe sigurisht unë përulem para artit që ajo bën. Më ka emocionuar kur ka ardhur dhe ka parë shfaqjen time “Liqeni i Mjellmave”, dhe ka qarë pasi ka parë ekzekutimin tim dhe të Gertit. Më pas, më propozoi që të bënim peshkatarët e perlave. Për mua është nder dhe fat, ka qenë puna e saj, kultura dhe disiplina e saj, që ne të punojmë vërtetë në një mënyrë të paqtë dhe na ka lënë komodë në atë çfarë kemi dashur të koreografojmë.

Cilin moment do të veçonit gjatë provave?

Ka shumë, por do të veçoja kur Inva ka ardhur për herë të parë për të parë koreografinë, është ulur me ne dhe tha opinione shumë të mira, mbeti shumë e kënaqur. Por ishin momente të bukura ato kur ajo u ngrit në këmbë dhe filloi të mësonte lëvizjet me të cilat edhe ajo do t’i ekzekutojë në skenë. Ishin momente shumë të bukura, shumë pasionante, çfarë ajo më thoshte unë mundohesha ta realizoja dhe ky bashkëpunim bën shumë magji dhe vetëm një artist e ndien këtë gjë.

Si arrini ta menaxhoni kohën tuaj nëpërmjet jetës artistike dhe asaj familjare?

Mundohem të jem balerinë, të jem nënë, bashkëshorte, shtëpiake… Po, më pëlqen fjala shtëpiake, sepse 1-2 orë më pëlqen të qëndroj në shtëpi. Dua t’i bëj mirë të gjitha këto. Siç i përkushtohem profesionit tim, sepse për mua ajo është jeta, ashtu dua të jem një nënë për djalin tim, dhe mendoj se e bëj në maksimum, t’i jem prezent atij në çdo moment, kur mëson, kur luan, kur do të flasë, apo të bëj gjithçka me mua. Sigurisht, marrëdhënia nënë-bir është e jashtëzakonshme. Dua të jem një bashkëshorte e denjë për Gertin dhe pse jo edhe amvisë e mirë kur jam në shtëpi.

Si është Enada si drejtoreshë, kërkuese, e egër, e butë apo premtuese?

Unë mundohem t’i bëj pak nga të gjitha, por qëllimi që i kam vënë vetes është që të jem mbi të gjitha një njeri shumë i mirë, të jem një drejtuese e mire, pa lënduar askënd dhe mendoj që në qoftë se këtë gjë do ta bëj ashtu siç duhet, do të ketë rezultat. Më pëlqen të flas qetë, të mirëkuptohem me kolegët që punoj, nuk më ka pëlqyer asnjëherë të ngre zërin edhe pse në raste të caktuara edhe kam qenë e detyruar.atë çfarë kërkoj te vetja, e kërkoj edhe tek ata.

Fjalën “sukses” si do ta përkufizoje?

Nuk dua të vendos një përkufizim. Në të gjitha punët e mia, kërkoj që në fund të jenë “baraz sukses”. Jam munduar dhe do të vazhdoj që në çdo sipërmarrje që marr të përfundojë me sukses. Koha ka treguar që punët tona kanë patur sukses, pork jo nuk më ka bërë që të shkoj në qiellin e shtatë, absolutisht. Jam me shumë këmbë në tokë, e kam thënë dhe do ta them gjithmonë që s’kam bërë asgjë. Por që sigurisht, suksesin e dua pas çdo pune, sepse me synimin për drejt suksesit punoj.

Një prima balerina si ju që i ka plotësuar dhe i plotëson gjithmonë kriteret e një kërcimtareje me këllqe të forta. Pse nuk  ke kërkuar kurrë ta braktisësh Shqipërinë, për të ndërtuar një karrierë jashtë shtetit?

Duke qenë se besoj shumë në Zot, e kam të vërtetuar se çdo gjë është shkruar për secilin prej nesh, mendoj se Zoti ka shkruar që unë të bëja karrierë këtu. Sigurisht, kam patur sukses edhe jashtë vendit kur kam qenë e ftuar. Pra mendoj se Zoti më ka përkëdhelur. Nuk di të kthëj një përgjigje përse këtu dhe jo atje!

Duke ju njohur si një femër tepër të fortë dhe me ide tepër të qarta për artin, cila do ishte këshilla që do i jepje artistave të rinj përpara se ato të zgjidhnin të bëheshin pjesë e trupës së baletit TKOB?

Nuk dua të them atë fjalën klishe: punë, punë dhe vetëm punë. Dihet që pa punë nuk arrihet asgjë. Do t’i këshilloja të jenë njerëz mbi të gjitha, edukata të bën të ecësh më përpara se sa puna ndonjëherë, të qenët njeri i mirë, të qenët njeri me disiplinë dhe pa diskutimi punë. Po të lidhen të tëra bashkë, të çojnë drejt suksesit. Kjo është edhe këshilla kur punoj me  balerinët e mi.

Është ky mesazhi juaj edhe për balerinat e reja që kanë ëndërr të bëhen një ditë si ju? Pasi njihesh një prej balerinave që e ke gdhirë duke punuar në sallën e baletit…

Një mesazh për atë që ëndërrojnë, por edhe për ata që duan të jetojnë mirë.  Të jetë i lumtur me veten, sepse vetëm kështu përçon lumturi dhe mirësi tek ata me të cilët punon. Këtë bëj unë çdo ditë. Njeriu duhet të jetë i sinqertë me veten, dhe padiskutim do të jetë edhe me të tjerët. Sinqeritetin, që më karakterizon, mundohem t’ia përçoj edhe djalit tim. Para se të flemë këto këshilla i jap. Mbrëmë më pyeti dhe i thashë: “Djali im, ta kesh në mendje gjithmonë, që duhet të jesh i mirë me veten, i sinqertë me veten, të mos gënjesh asnjëherë, të mos mashtrosh asnjëherë, të mos vjedhësh asnjëherë dhe të mos tradhëtosh asnjëherë.” Këto janë parimet kryesore për të qenë një njeri i mirë dhe i suksesshëm në jetë.

Një këshillë për armiqtë tuaj?

Në këtë jetë ka njerëz që na duan dhe nuk na duan, na pëlqejnë dhe nuk na pëlqejnë. Nëse unë jam mirë me veten, për mua çdo gjë është në rregull. Nuk kam cënuar njeri as në profesion as në jetë dhe kjo më mjafton. Në momentin që vë kokën në jastëk dhe më zë gjumi, atëherë unë jam mirë. Atëherë kur nuk do të më zërë gjumi, do të ketë diçka që nuk shkon.

 

 

 

 

 

 

 

- SPONSOR -Smiley face