Eranda Shuaipi nuk është një emër i panjohur, ndërsa në fushën e sportit ajo është shumë e famshme. E shpallur shumë herë kampione, duket se sportistja me vullnet të hekurt, nuk është mjaftuar. Ajo po bën një pauzë pasi i është dedikuar biznesit, por kur ju të mos e prisni ajo do të rikthehet për të “rrëmbyer” një tjetër kupë. Sepse e tillë është Eranda; Kampione në sport, por edhe në jetë! Në intervistën për mulliri.al, ajo rrëfen pak nga jeta e pak nga sporti, por thotë shumë.

- SPONSOR -Smiley face

Fjala e saj peshon, dhe nuk gabon kur mendon se të rinjtë duan të arrijnë shumë shpejt gjithçka. Ata duan të kenë një trup si Eranda (e kush nuk do ta donte), por si ta realizoni, ju tregon vetë e pasionuara pas së bukurës, Eranda Shuaipi, e përgjedhura këtë herë për rubrikën e mulliri.al “VIP GATE”.

 

Eranda, duket se u mjaftove me kupat e çdo kompeticioni ku merrje pjesë. Përse je tërhqur nga garat?  E themi këtë pasi nuk ju pamë të merrnit pjesë këtë vit në kompeticionin e Bodybuilding…

Le të themi që kam marrë një pauzë të shkurtër për arsye se për momentin kam përparësi të tjera në jetë. Përgatitja për kompeticion kërkon shumë energji fizike, por mbi të gjitha mendore, dhe unë për momentin këto energji të miat kam vendosur t’i shpenzoj tek puna. Në fund të fundit puna është ajo që përcakton nivelin e jetesës sonë dhe të njerëzve tanë të dashur. Poooor…, do kthehem do kthehem… shumë shpejt, më pëlqejnë sfidat kështu që një prej tyre mund të ishte të ri-marr kupën në moshën 40 vjeçe… (Qesh)

Si kampione, mendon se është e lehtë të fitosh një kupë, aq më tepër që të rinjtë e sotëm, marrin pjesë në një kompeticion dhe nëse nuk arrijnë aty ku duan, tërhiqen shpejt…?

Varet se ku garon e çfarë qëllime i vendos vetes. Sigurisht nëse garon në gara të vogla e pa konkurencë, të gjithë mund të marrin kupa e shpallen kampionë, por nëse synon garat më të rëndësishme në botë, ku mund të gjesh edhe 46 garuese në një kategori (siç më ka ndodhur), atëherë duhet të jesh me të vërtetë “fenomen” për tu dalluar nga turma, edhe për faktin se kur je mbi skenë ke vetëm pak minuta për të treguar punën e muajve të tërë… Por unë mendoj që kampionët e vërtetë e tregojnë veten pikërisht poshtë asaj skene e jo sipër saj. Të jesh kampion 1 ditë ne vit, është një gjë, e të jesh 365 ditë në vit, duke ndjekur një stil jete të shëndetshëm, e mbajtur veten në formë të mirë duke u bëre shembull për tu ndjekur nga të rinjtë, këta për mua janë kampionët e vërtetë. Ajo që mendoj se ju mungon të rinjve tanë është durimi dhe konstanca, shpesh duan të arrijnë shumë rezultate në pak kohë, dhe kur nuk i arrijnë tërhiqen nga loja.

Dhe përveç vullnetit të mirë, ju duhen edhe njerëz kompetente që t’i ndihmojnë në rrugën e tye. Unë nuk kam parë asnjë sport pa trainer, ndërkohë që shoh të rinj e të reja që mendojnë se mjafton të regjistrohen në një palestër, e të bëjnë ca ushtrime që i kanë parë në instagram e youtube, dhe kështu do ndërtojnë trupin e ëndrrave të tyre. Nuk funksionon kështu, nëse duan rezultate duhet t’ia besojnë trupin e tyre profesionistëve e trainerëve të zotë.

Aktualisht, me çfarë po merresh?

Siç, ju thashë po punoj fort, për të ndërtuar të ardhmen time dhe të djalit tim. Aktualisht së bashku me partnerin tim jemi duke investuar në një projekt shumë të rëndësishëm për biznesin tonë. Ndërkohë po stërvitem gjithashtu, e po kaloj më shumë kohë me familjen, me miqtë…

Midis Italisë dhe Shqipërisë, dihet arsyeja tashmë e udhëtimeve të shpeshta drejt shtetit fqinj… A ke menduar ta zyrtarizosh lidhjen tënde dhe të vendosesh përfundimisht në njërin vend?

Po mirë jemi kështu (qesh)… Bëj shaka. Po, patjetër që e kemi menduar. Ne jemi bashkë tashmë prej 7 vitesh dhe lidhja jonë është mjaftueshëm e konsoliduar për të hedhur një hap më tutje, por është sërisht puna që na mban larg, shpresojmë jo edhe për shumë kohë. Enricos i pëlqen shumë Tirana dhe mendoj që në një të ardhme jo shumë të largët do lërë Italinë për tu vendosur në “tokën e Shqiponjave” siç e quan ai kur tregon për të.

Ju pamë që ishit pjesë e “Maratonës 2018 në Tiranë”, por jo si vrapuese….

E admirova pa masë punën e bukur që ishte bërë në organizimin e maratonës së Tiranës, dhe po aq shumë admirova secin vrapues nga i pari tek i fundit  që e çoi deri në fund këtë maratonë. Si pjesë e sportit nuk mund të më shpëtonte ky aktivitet, dola për ta parë e për tu kënaqur, për të përgëzuar fituesit, për të inkurajuar miq të mitë që vraponin, për të komplimentuar organizatorët, pse jo edhe për të nxitur tek im bir të cilin tashmë e marr me vete kudo, dashurinë për sportin në përgjithësi, sepse sporti, çfardo qoftë ai, është shendet, është jetë më e mirë.

Na trego disa nga arritjet e nxëneseve të tua…

Nxënëset e mia krysisht janë në nivele jo agonistike, pra nuk kam kupa e medalje për to, kam vetëm foton e tyre “para e pas” të cilat herë pas here i publikoj në profilin tim në facebook e instagram, por mund t’ju them se një nga ish nxëneset e mia më të mira, njëkohësisht edhe mikesha ime, këtë vit fitoi mdaljen e artë në Spanjë, në Olympia Amatour në një garë me mbi 50 shtete e mbi 200 garues nga e gjithë bota. Nuk e keni idene sa të lumtur më bëri kjo…

Vazhdon të trajnosh të reja të pasionuara pas këtij sporti?

Le të themi që vazhdoj të ndihmoj vajza e gra që duan të kenë një trup më të bukur e më të shëndetshëm me konsulenca on line, me plane ushqimore dhe skeda stërvitjeje të personalizuara, në bazë të fizikut të tyre dhe çfarë synimi kanë. Nuk kam realisht kohë që të ndjek e të tranoj vajza nga afër, dhe nuk e shoh aspak si profesion, megjithëse më duket e drejtë që nëse dikush kërkon ndihmën e profesionistëve, atë duhet ta paguajë.

Si po e shijon këtë periudhë vjeshte në Tiranë dhe Itali?

Gjatë javës punoj, në fundjavë nuk rri kurrë në një vend. Udhëtimet janë një nga pasionet e mia më të mëdha. Kështu që kur nuk jam në punë, ose nuk jam në Itali, ose nuk jam në udhëtime pune.. jam duke shëtitur për qejf!

- SPONSOR -Smiley face