Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në bashkëpunim me Forumin e Politikave të Integrimit në kuadër të rrugëtimit Europian të Shqipërisë, hapën në 7 Dhjetor Galerinë e quajtur ‘Unë dhe Europa’. Aktiviteti, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik, bota akademike, shoqëria civile, media dhe studentë, u hap me fjalimin përshëndetës të Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Z. Andi Dobrushi, i cili theksoi se hapësira ekspozitive “Unë dhe Europa” është nga nismat e para të këtij lloji, e cila paraqet rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë nga viti 1991 e deri më sot. Ai gjithashtu theksoi rolin dhe kontributin e Fondacionit gjatë gjithë këtij rrugëtimi drejt BE-së, nga viti 2005 në rritjen e kapaciteteve të institucioneve tona, mbështetja për shoqërinë civile si një dëshmi e bashkëudhëtimit që kemi bërë me gjithë proceset e europianizimit, si nga ana institucionale, por edhe nga ana e shoqërisë shqiptare.

- SPONSOR -Smiley face

Duke u ndalur te hapësira ekspozitive, ajo vjen në një formë alternative të komunikimit dhe shprehjes, e ideuar nga një grup profesionistësh të rinj, të cilët ushqejnë njëzëri aspiratën për t’ju bashkuar familjes Europiane. Z. Dobrushi nënvizoi rëndësinë e kontributit të institucioneve dhe gjithë aktorëve të tjerë nga shoqëria shqiptare në këtë moment thelbësor. Këta të rinj europianë kanë bërë të mundur të sjellin një prurje dhe një cilësi shumë më të mirë në diskursin publik. Kjo dëshmon interesin e të rinjve për tu investuar në këtë proces dhe për të ushtruar një trysni ndaj institucioneve. Të pranishëm në hapjen e Galerisë që adresuan fjalë përshëndetëse ishin: Z. Sokol Dedja, Drejtor për Bashkimin Europian nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Sylvain Gambert, Kryetari i Grupit të Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informimit pranë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Z. Klajdi Gjondedaj nga EUPH. Në fjalën e tij Z. Sokol Dedja vlerësoi si shumë të rëndësishëm komunikimin e procesit të integrimit europian me publikun, duke përfshirë shoqërinë civile.

Në Shqipëri ne kemi një mbështetje shumë të lartë për integrimin dhe ka nevojë të punohet për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohuritë mbi procesin. Pavarësisht se kjo linjë kohore e gjatë mbi procesin e integrimit prezanton arritjet dhe sfidat shpresojmë që hapi i radhës në 2018 të jetë hapja e negociatave. Ministria është duke punuar dhe përgatitur për hapjen e negociatave dhe sidomos për të bërë të mundur përfshirjen e shoqërisë civile për të rritur transparencën dhe informimin. Ndërsa përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së Z. Sylvain Gambert theksoi se Galeria është e rëndësishme, sepse tregon historinë nga 1991 deri më sot dhe rrugëtimin si Bashkimi Europian e ka mbështetur Shqipërinë. Galeria tregon si të shikosh mbrapa dhe reflektosh para hapit të radhës që pritet nga procesi i integrimit. Galeria është e ndërtuar nga vetë të rinjtë që duan të tregojnë dhe t’ju shpjegojnë qytetarëve cila ka qenë ecuria e integrimit, duke bërë të mundur edhe organizimin e kësaj Galerie edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Klajdi Gjondedaj nga EUPH prezantoi idenë e Galerisë e cila vjen si një formë e shprehjes alternative dhe komunikimit estetik të procesit të integrimit evropian me qytetarët nëpërmjet fotove, videove dhe instalacioneve. Ai i ftoi të pranishmit ta vizitojnë edhe në vazhdim duke qenë se do të qëndrojë e hapur përgjatë periudhës 7 – 16 Dhjetor 2017 sidomos për të ndjekur materialet audio, video, dokumentarët, dhe debatet e diskutimet që do të zhvillohen. Kjo Galeri do të qëndrojë e hapur pranë Muzeut Historik Kombëtar deri më datë 16 Dhejtor 2017.

- SPONSOR -Smiley face