Piktori i njohur, Gazmend Leka çel më datë 15 nëntor ekspozitën vetjake të titulluar “Taso”. Historia është e thjeshtë. Një vit më parë, kur buzë gjolit të Pogradecit, dy miqtë e vjetër Gazi dhe Taso u takuan, një fotografi e zakonshme, si çdo foto e realizuar pa mendje (gati vjedhurazi), u premtua si subjekt për pikturë. E sikurse ndodh zakonisht, subjekti i kapërceu shpejt pritshmëritë e vetvetes, duke u shpërbërë në shumë copëza, si një hetim ekzistencial mbi vetë fenomenin.

- SPONSOR -Smiley face

Ekspozita në dukje prezantohet e thjeshtë. Imazhi i përsëritur kokëfortësisht, në dimensione të ndryshme, shpërndahet në hapësirë si copëzat e një mozaiku, herë në vetën e parë e herë vetëm si frymë. Përsëritja e tij, nuk synon shumëfishimin e tij sipërfaqësor, por ripropozon pikërisht të kundërtën e saj. Me forcën e shenjës plot gravitet, imazhi i Tasos, hapet e mbyllet si një kuadër filmik, copëzohet, ribashkohet për shtresëzim, gjithnjë me këmishën e kuqe, kapelën mbi sy, përkuljen apo përuljen përpara telajos, penelin në dorë e tavalocën me gjurmë ngjyrash. Është shëmbëlltyra e piktorit në “atelienë” e tij, në peizazh. Subjekti është po ai, ndërkohë që piktura thërret nga brenda me gjuhën elokuente të autorit.

Ekspozita “Taso” duket sikur bie ndesh me ekspozitën e tij të fundit, “Natura morta”, ku imazhi i minutës së fundit të personaliteteve botërore, qëndron ende pezull në Galerinë F.A.B. si pikëpyetje mbi momentin e kalimit.

“TASO” është thjesht … “Natura”.

- SPONSOR -Smiley face