Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po ndjek nga afër gjendjen e punonjësve që pësuan dëmtime nga aksidenti i pak ditëve më parë në Shkodër ndërsa punonin për riparimin e defekteve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. OSHEE ka marrë përsipër dërgimin për ndërhyrje të specializuar jashtë vendit për 46 vjeçarin Afrim Halluni me funksion elektricist i linjave të tensionit të lartë dhe 30 vjeçarin Erion Hafizi me funksion operator në nënstacionin Shkodra 1.

Kompania e shpërndarjes do të mbulojë financiarisht dërgimin ditën e hënë të dy të lënduarve me avion special mjekësor drejt spitalit “Sant Eugenio” të Romës dhe kurimin në spital për djegiet që kanë pësuar.

- SPONSOR -Smiley face

Gjithashtu, OSHEE ka qëndruar pranë familjes së elektricistit Sabri Vlinga i cili humbi jetën në krye të detyrës ndërsa punonte për riparimin e një defekti në fiderin e Roskovecit. Kompania ka vendosur të punësojë pranë OSHEE-së dega Fier bashkëshorten e të ndjerit, Mirelën. OSHEE do të paguajë plotësisht edhe pagesën e studimeve të vajzës së të ndjerit, Donaldës, e cila ndjek studimet për Financë-Bankë pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Një falënderim për të gjithë punonjësit e OSHEE që me sakrificë dhe në kushte të vështira atmosferike punojnë natë e ditë për garantimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.

- SPONSOR -Smiley face