Duke ndjekur Konferencën për shtyp të stafit të Festivalit të 56-të të Këngës në Radiotelevizion.

- SPONSOR -Smiley face

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Shumë vite më parë ”arkitektët” e muzikës shqiptare kishin kohë që po projektonin krijimin e një ”ndërtese gjigande” të këngës së lehtë shqiptare, që do t’i sillte vendit çdo fund dhjetori një ”fëmijë”, ku do të mirëpritej nga mbarë populli, veçanërisht, të rinjtë.
Kështu në Dhjetorin e vitit 1962 erdhi ”fëmija i parë”duke u pagëzuar me emrin “Festivali i Këngës në Radio” dhe më vonë, “Festivali i Këngës në Radiotelevizion”.
Sivjet, ndërtesa gjigande e këngës së lehtë shqiptare, fëmija që lindi në vitin 1962 është në moshën e tij të 56-të dhe po konkuron në skenat e Festivalit Europian.

Por, çfarë do të na sjellë ky festival i sivjetshëm?

Kjo është e njëjta pyetje që çdo funddhjetori i kemi bërë vetes, kemi pyetur shoku shokun dhe, pas pritjes së gjatë disa mujore derisa të vinte dhjetori i festivalit, ndjekjes me shumë vëmendje të të trija netëve të festivalit, mes emocioneve të mëdha, kemi dalë edhe të kënaqur edhe të zhgënjyer.
Kemi dalë të zhgënjyer me vlerësimin e jurisë për këngën fituese.
Kemi dalë të zhgënjyer, sepse kemi dëgjuar këngë që jo vetëm vija melodike është shumë e vështirë për t’u mësuar, për t’u kënduar, por as edhe fjalët e këngës të interpretuar nga këngëtarët, nuk janë kuptuar se çfarë thonë.

Kemi dalë të kënaqur, sepse kemi dëgjuar këngët melodioze, të kënduar bukur, pastër, nga këngëtarët që, menjëherë pas transmetimit të netëve të festivalit, meloditë e tyre janë fishkëllyer nga djemtë, janë kënduar nga të grupmoshat e ndryshme.
Një këngë e bukur, e thjeshtë, melodioze, nuk ka nevojë për çjerrje zëri, të bërtitura, nuk ka nevojë të këndohet nga këngëtare që lënë për të dëshiruar me mënyrën e dobët të interpretimit të tyre dhe që dalin në skenë me veshje të ndryshme si të jenë në pasarelat e modës që lëvizin me shumë vështirësi në skenë nga frika se mos pengohen dhe rrëzohen dhe që pak fjalë u kuptohet.
Kënga shqiptare e bukur, e thjeshtë, e prezanton vetë veten e saj tek publiku i gjërë këngëdashës.
Jap shembullin tim personal në disa këngë të festivaleve të ndryshme të para viteve 90-të.
Kur këngë të bukrua, të tilla si: “Ti mbetesh pranverë” kompozuar nga Gazmend Mullahi, me tekst të Koçi Petritit dhe kënduar nga Lindita Theodhori në Festivalin e 24-rt të Këngës në Radiotelevizion, “Shoqja ime” Agim Krajka, Zhuliana Jorganxhi, Festivali i 14-të, kënduar nga Liliana Kondakçi dhe Vera Dervishi, “Kur jemi bashkë të dy” Festivali i 19-të i Këngës në Radiotelevizion, Aleksandër Lalo, Jorgo Papingji, “Në moshën e rinisë” Vladimir Kotani, Arben Duka, fituese e Festivalit të 24-rt, “Hidhe hapin vogëlush” Thoma Gjoni, Enver Isufi, Ç’lumturi na dha kjo jetë” Agim Krajka Arben Duka, … në natën e tretë të festivalit, unë kam mbajtur fletore dhe laps në dorë dhe, duke dëgjuar interpretimin e shkëlqyer me fjalët që shqiptohen dhe dëgjohen pastër, i shkruaja në fletore.
Në ditën e nesërme, kënga ishte e mësuar.
Kështu kanë bërë edhe shumë të tjerë si unë.
A mund të ndodhë kjo me këngëtarët që nuk u kuptohen fjalët dhe vijë melodike shumë e vështirë për t’u mësuar?!

Kanë kaluar 27 vite nga festivalet e këngës të para viteve 90-të. Më thoni të dashur lexues: Sa këngë mbani mend dhe i këndoni këngët e festivaleve të pas 90-tës? Pak! Shumë pak! Dhe janë ato pak këngë të pëlqyera që mbahen mend dhe këndohen, siç janë: “Larg urrejtje” “Fati ynë shpresë dhe marrëzi” “Humba pranverën” “Imazhi yt”…
Sa shumë koncerte jepen në ditët e sotme nga këngëtarë të ndryshëm me këngët që janë kënduar shumë vite më parë në festivale dhe mbeten po aq të freskëta si atëkohë, si: Pragu i vegjëlisë, E diela jonë, Lot me ty o djalë, se ta di merakun, Kënga ime është për ju, Nuk e harroj, e shumë e shumë këngë të tjera.

Dëgjova me shumë interes konferencën për shtyp të stafit të Festivalit të sivjetshëm të 56-të të Këngës në Radiotelevizion, zotërinjtë e nderuar: Sokol Marsi, Pali Kuke, Adi Krasta.
Tre emra të nderuar. Tre emra me përvojë festivalesh. Tre emra të suksesshëm.
Nuk dua të komentoj ato çfarë premtuan zotërinjtë e nderuar, sepse këtë do t’ia lemë netëve të festivalit dhe nuk vihet aspak në dyshim që do kemi një festival të bukur, të kohës së sotme moderne.
Si ndjekës për shumë vite i festivaleve të këngës, shpreh mendimin tim personal.
Fjalën e huaj “surprizë” po e zëvendësoj me fjalën shqipe, befasi.
U fol për befasitë që do na sjellë festivali. Sigurisht, as që nuk vihet në diskutim.
Stafi i festivalit na prezantoi pak a shumë këngëtarët pjesëmarrës.
Mendoj që, emrat e këngëtarëve duhet të na ishin lënë befasi (surprizë) gjatë netëve të festivalit, ose të prezantoheshin në çeljen e festivalit ashtu siç u prezantuan edhe në Festivalin e 24-rt në RTVSH, kur filloi të shembej “perdja e hekurt”.
Stafi i festivalit na njoftoi se, së shpejti, këngët do të jenë online, do transmetohen në youtube, do jepen në mediat sociale, në radio në kanalin e Televizionit Shqiptar dhe në radiot e tjera.
Duke dëgjuar këngët online në youtube etj, humbet interesi për festivalin.
Mendoj që edhe kjo praktikë e re e sivjetme, pra, transmetimi dhe dëgjimi i këngëve para festivalit, të na ishte lënë befasi (surprizë) gjatë netëve të festivalit.
Emocionet e spektatorëve, telespektatorëve dhe dëgjuesve të radios, duhet të jenë në netë e festivalit duke i dëgjuar për herë të parë këngët.

Për ta mbyllur, i shpreh urimet gjithë stafit, organizatorëve, pjesëmarrësve të Festivalit të 56-të të Këngës në Radiotelevizion.
URIME dhe SUKSESE

- SPONSOR -Smiley face