Ekspozita kushtuar memuaristikës shqipe hedh dritë mbi një korpus kujtese e dëshmimi, i cili, në filtrin e epokave dhe në spektrin e historisë është shndërruar në Kujtesën tonë kolektive.

- SPONSOR -Smiley face

Memuaristika shqiptare, duke ndjekur rrugëtimin historik të letrave shqipe, zë fill përmes latinitetit të saj humanist, me veprën monumentale të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”. Kjo dëshmi-monument është piketa e parë e vetëdijes së shkrimit memuaristik, që na vendos në tempullin e madh të kujtesës së qytetërimit evropian.

Në gjuhën shqipe ky gjest dëshmues shpaloset së pari përmes veprimtarëve dhe penave të Rilindjes kombëtare, si dëshmi e  kohës reale të përjetimit ose si rikthim retrospektiv, gjithnjë nga vetë autorët, në paktin e përjetshëm e të domosdoshëm të zhanrit të “memuaristikës” mes atij që shkruan-dëshmon dhe atij që  lexon-beson në vërtetësinë e saj. “Memoriet e mia”  i quan Visar Dodani kujtimet e zhvillimeve të para kulturore në koloninë shqiptare e Bukureshtit; “Hi dhe shpuzë” i përmbledh Mit’hat Frashëri “frymëzimet e kujtimet” e veta, i nxitur prej miqsh “indulgjentë, për të mos i varrosur e ndoshta harruar edhe prej meje vetë” – siç pohon në parafjalë të vet.

Ndër veprat më mbresëlënëse të këtij zhanri paraqiten ato të periudhës së  Shtetit të Pavarur Shqiptar, prej ku shkëlqen vepra e Anton Harapit “Andrra e Pretashit”, një nga modelet edhe sot më arrira të harmonisë së vetëdijes së shkrimit letrar dhe dëshmimit.  Ndërsa në faqet e Diellit, spikaste pena elegante e Konicës, mes dëshmimit të së shkuarës dhe reales politike në tekstin e mirënjohur “Shqipëria si m’u duk”.

Vepra dëshmuese e At Zef Pllumit, ky kulmin brilant i memuaristikës shqipe, rilidhi misionin e kujtesës nga Barleti e Harapi, me historinë dhe shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Vetëdije e qëndresës nën misionin “Rrno vetëm për me tregue”, vetëdije e shkrimit si dhe vetëdije e një etike sipërore të dëshmimit, ajo kërkon qysh prej fjalisë së saj të parë e deri tek ajo e fundit, një etikë sipërore të leximit.

Ajo është një përballje e re, ku krahas përjetimeve të forta e skenave thuajse “mizorisht” të pabesueshme, lind një proces të thellë reflektimi, përmes të cilit, At Zef Pllumi besonte se do të rindizte dritën në tunelin e errët të harresës së qëllimshme e për rrjedhojë të “fajshme”. Dëshmisë së tij iu shtuan ndër vite dhjetëra të tjera, duke përbërë sot dritën e fortë, gati verbuese, të asaj që dhimbshëm u pagëzua si “kujtesa e burgut”, secili me dëshmimin e të vërtetën e vet. Ky kalim (shteg) i kujtesës individuale në atë kolektive, ky intresubjektivitet  i shoqërisë së lirë, përbën lidhjen thelbësore mes kujtesës dhe historisë. Shoqëria shqiptare gjendet sot në një nga momenteve më të rëndësishme të historisë së vet: Përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste, formulimin e “së pafalshmes” dhe shqiptimin “e ndjesës”.  

Kjo ekspozitë modeste “In memoriam At Zef Pllumi” le të jetë pragu i rikthimit të dëshmisë në zemrën e lënduar të historisë, ashtu siç e pat shpresuar vetë “fratel Zefi” qysh kur plagët në trupin e dërmuar prej torturave, varur në trungu e pjeshkës në oborrin e degës së brendshme,  ia përthante era e ftohtë  e dhjetorit./bksh

- SPONSOR -Smiley face