Ditën e djeshme është ndarë nga jeta profesor doktor Niko Pano, një nga bashkëpunëtorët më të vjetër të institucioneve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lajmi është bëri i ditur në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.


Prof. Pano, lindi më 16 shtator 1937 në Vlorë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Odesës dhe në vitin e fundit u diplomua në Institutin e Hidrometeorologjisë më 1960 në Leningrad (sot San Petërburg). Filloi punën në Institutin e Hidrometeorologjisë së Akademisë së Shkencave si inxhinier hidrolog duke pasur edhe detyra shkencore e drejtuese: përgjegjës i sektorit të hidrologjisë (1960–1986), nëndrejtor i Institutit Hidrometeorologjik (1990–1992).

- SPONSOR -Smiley face

Ai ishte pedagog i jashtëm i lëndës së hidrologjisë në degën e gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Është bashkautor i monografive “Ngjarjet e jashtëzakonshme atmosferike në Shqipëri” (1967); autor i studimit “Ligjshmëria e depërtimit të ujërave të detit Jon në Adriatik” (1973); “Hidrologjia e Shqipërisë” (1984); “Gjeografia fizike e Shqipërisë” (1990) etj.  Ka shkruar një mori studimesh, artikujsh e referatesh në shtypin shkencor. Ndërmjet studimeve të shumta spikatin 6 studime të emërtesës së Këshillit të Ministrave. Më 1984, Niko Pano për meritat e tij dekorohet nga Kuvendi Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” e më pas me “Medalje Pune” me motivacionin “Për arritje të mira në studimet shkencore hidrologjike për vlerësimin e pasurive ujore të Shqipërisë”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për punën e tij me pasion dhe me cilësi, e ka vlerësuar gjithmonë prof. Panos. Kështu, më 2015 prof. dr. Niko Pano u nderua me medaljen “Nderi i Akademisë” me motivacion “Për kontributin e shquar në shërbimin hidrometeorologjik, në realizimin e kërkimeve e botimeve në fushën të pasurive ujore të Shqipërisë, si dhe atë në fushën e arsimit e të edukimit të brezave të rinj e specialistëve”.

Gjithashtu, për monografinë shkencore “Pasuritë ujore të Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të edicionit të parë të Çmimeve Shkencore të Akademisë për vitin 2016 për studimet dhe botimet më të arrira, ai u vlerësua me çmimin shkencor “Radovicka”. Vepra e tij u vlerësua me motivacionin “Vepra shkencore ‘Pasuritë ujore të Shqipërisë’, një studim i gjerë dhe kompleks, është rezultat i kërkimeve gjysmëshekullore për resurset hidrike të Shqipërisë, të realizuar me metoda bashkëkohore, me kontribut të shquar për shërbimin hidrometeorologjik në fushën e pasurive ujore të Shqipërisë me ndikim teorik e praktik në kërkim-zhvillim, si dhe në fushën e arsimit e të edukimit të kërkuesve të rinj”.  Prof. Niko Pano deri në ditët e fundit ka punuar për daljen në dritë të botimit të ri shkencor “Hapësira bregdetare Divjakë – Karavasta në Adriatik”, për të cilin në krye të një grupi specialistësh, ai kontribuoi për të paraqitur një studim integral të zonës me qëllim final rikuperimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të kësaj hapësire me rëndësi dhe me bukuri të rrallë natyrore. Profesori la një trashëgimi të pasur me vlera shkencore dhe praktike me vlerë për shkencën dhe ekonominë e vendit. Ndarja nga jeta e Profesorit është një humbje e madhe për familjen e tij, kolegët, bashkëpunëtorët, mbarë komunitetin shkencor e universitar, shoqërinë civile e atë prodhuese.

- SPONSOR -Smiley face