U çel në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozita vetjake e piktorit Enton Panariti me temë “Ngjyra dhe Vizione”. Miq e dashamirës të artit ishin pjesë në hapjen e kësaj ekspozite.
Ceremoninë e hapi analisti dhe miku i PanaritiT, Lorenc Vangjeli. Ndër të tjera, pasi bëri një retrospektivë të shkurtër të jetës së piktorit,Vangjeli tha se, “Kjo nuk është ekspozita e parë dhe nuk është natyrisht as hapi i fundëm i rrugëtimit të pikturës së tij mesdhetare. Është thjesht një stacion i ndërmjetëm midis dy gjinive të tij të preferuara. Në grafikën e tij, përtej vizave të errëta dhe nervoze dallohet shpesh një mendim i dhunshëm filozofik. Diçka që afron kënaqësi përmes dhembjes dhe bindje se vetëm dhe dhembja plot sakrificë mund të krijoje kënaqësi. Në pikturën e tij gjen lojën e ngjyrave që të përthyera nga jashtë në brendësinë e tyre, duke rikrijuar kontraste fantastike, njëlloj si të ardhura nga botë fantastike plot dritë-hije, jo atë që shohim, por atë që ai na fton të shohim. Duke na dhuruar botë më të mira dhe duke vijuar në dhembje t’i afrojë më shumë mirësi kësaj bote“.


Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se, “Është një kënaqësi e veçantë që e presim këtë ekspozitë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Një ekspozitë e një piktori të një brezi që ka mundësuar për të qenë diçka më tepër, për të thyer disa klishe në artin shqiptar dhe për të sjellë një kolorit ngjyrash, i cili vërtet befason. Unë, si historian, do të thosha që e kuqja dhe e zeza e përdorur në pikturat e tij përfaqësojnë ngjyrat e flamurit kombëtar, por do të thoja që është pikërisht një përvijim i gjithë tonalitetit të ëndrrave të një brezi i cili ka përjetuar formimin e vet në kohën e diktaturës“.

- SPONSOR -Smiley face

Piktori Panariti falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe i ftoi të gjithë të ndiqnin ekspozitën.

- SPONSOR -Smiley face