Mulliri.al falënderon sponsorët që mbështetën këtë personazh në rubrikën tonë “VIP GATE”, që të vinte për lexuesit në mënyrën më të magjishme të mundshme… Ata janë: Nano Resort & Bio Food, Geraldina Sposa, @enilenahair_makeup, Grishko, dhe fotografi Erald Zela.

- SPONSOR -Smiley face

E bukur, plot sharm dhe klas. Njëherësh inteligjente  dhe e kulturuar, e dashuruar pas artit dhe baletit. Odeta Dishnica është balerina soliste e Teatrit të Operas dhe Baletit, e cila ka marrë pjesë në shumë role solistike në produksione të ndrshme, në televizione të mëdha. Ajo e ka nisur këtë rrugëtim për të qenë një prima balerina që në hapat e parë, që kur vendosi të ishte pjesë e kësaj fushe, fushës së bukur dhe të vështirë të artit, në Shqipëri. Ka punuar shumë fort dhe me shumë seriozitet, pa neglizhuar dhe pa u lodhur në asnjë moment. Si rrallë herë,  ajo vjen në një intervistë ekskluzive për mulliri.al me një rrëfim që nuk i ngjanë asnjë tjetri të realizuar më parë…

 

Jeni soliste e parë në TOB. Si do e përshkruanit punën dhe eksperiencën tuaj në këtë institucion?

Të  jesh një balerinë e kualifikuar është një investim shumë i madh për jetën. Baleti është arti në të cilin ne flasim me gjuhën e trupit dhe arrijmë të transmetojmë tek publiku gjithçka që përmban një vepër. Të jesh një balerinë klasike do të thotë shumë. Duhet të kesh shumë cilësi të cilat bëjnë dallimin nga një balerinë e zakonshme. E pa diskutueshme është paraqitja fizike dhe forma trupore. Eleganca, sharmi, përgatitja fizike dhe teknike. Jane detajë të vogla që bëjnë një diferencë të madhe në paraqitjen e një personazhi në skenë. Bazat e para për të qenë një balerinë e mirë i kam marrë nga petagoge, Teuta Bashari, e cila me shumë përkushtim dhe profesionalizëm ka punuar mbi mua dhe për këtë jam shumë mirenjohëse. Më pas u bëra nxënësja e të madhit koreograf, artisti i merituar Agron Aliaj. Dua të ndalem këtu sepse ai për mua ka qenë bekimi më i madh. Ai vuri vulën e tij në karrierën time. Që unë duhej të isha një prima balerinë. Dhe unë sot jam kjo që jam falë punës së bërë me të. Nuk gjej fjalë për të përshkruar se çfarë do të thotë një punë me një artist aq të madh sa ishte ai. Merrja bekimet e tij para shfaqeve (preket dhe fillon të lotojë) sepse ishte artist me një shpirt të madh, me një kulturë profesionale dhe me një komunikim fantastik kundrejt një balerini. Më mësoi që për të qenë një artist i madh duhet të kesh një shpirt të mbushur plot mirësi. Jam e rritur nga duart e tij. Në çdo gjë që bëj firma është i të madhit Agron Alija!

Veçoni tre nga rolet tuaja që i cilësoni si më të veçantat e që s’do t’i harroni kurrë?

Unë jam një balerinë ku kam kërcyer si soliste e parë 16 vjet me radhë. Rolet e mia të para janë këto: Halili dhe Hajria, La Bayadere, Sylphide, Copelia, Carmina Burana, Giselle, Rome & Juliet, Mandarini i mrekullueshëm, Arrëthyesi, La Traviata… Dy shfaqe recital të cilat janë shumë të rëndesishme sepse jane shfaqë të personalizuara enkas me koreografi për një balerinë. Këto shfaqe kanë qenë të organizuara dhe punuara me maestro Agronin. Me pas vijojnë shfaqe gala të bërë në teatër ku kam marre pjesë me adagio baleti pjesë të ndryshme. Më pas vijon me dy gjëra që janë një peshë shumë e madhe në karrierën time artistike si balerinë e përzgjedhur në dy produksione të koreografit Angelin Preljocaj, baleti Stravaganca dhe Les noces. Në fakt, të gjitha kanë veçantine e vet sepse janë në karaktere të ndryshme. Ato që unë veçoja janë baletet që brenda përmbajnë një dramë të fuqishme sepse dhe emocioni është mjaft i madh, në ato momente. Ato janë: La Bayadere, Giselle Romeo & Juliet.

A ju është mërzitur ndonjëherë ky profesion?

Nuk ka se si ta mendoj këtë gjë. Atëherë kur ndiej lodhjen më të madhe mendoj që suksesi dhe vleresimi do jetë akoma më i madh nga publiku dhe në ato momente ndiej vetëm kënaqësi. Por sigurisht që kam kaluar dhe momente të vështira pasi në art ka shumë njerëz që duan të të sfumojnë dhe aty përjeton momente të dhimbshme sepse ne kemi një profesion që koha ikën dhe nuk ka vend të mendosh që duhet të ndalesh sepse vjen dikush dhe bën atë që do dhe jo atë që duhet. Por forca dhe vlerësimi ndaj punës dhe paraqitjes time në skenë më bëjnë të kem forcën dhe besimin tek vetja t’i kaloj këto vogëlsira.

As kur këmbët tuaja janë të dëmtuara në maksimum?

Kur këmbet janë të gjakosura dhe djersa që pikon mbi dysheme do të thotë për mua një kënaqësi se puna ka marrë përkushtimin e duhur dhe kjo është baraz me një sukses të garantuar.

Ju ka afruar apo larguar profesioni me familjen?

Është e pa evitueshme që profesioni ynë do një përkushtim me orë të gjata dhe kjo të merr shumë kohë nga jeta, por e padiskutueshme që familja e ka përkushtim maksimal në momentet jashtë tij. Aq sa larg në efekt kohe me mosprezencën time aq dhe pranë i kam personat e familjes, për mua ata janë mbeshtetja më e fortë dhe ndihma ime më e madhe.

Vëmendja ndaj familjes është e barabartë me atë ndaj karrierës dhe profesionit? Nëse jo, kur fiton kohë nga koha juaj e lirë?

Une mundohem në maksimum që të kem vemëndjen në gjithcka. Është mjaft e rëndësishme që të jesh e kuruar mjaft mirë në çdo gjë që bën. Mundohem shumë të jem paralisht me të treja bashkë sepse të jesh një femër në karrierë dhe në vëmendje të publikut duhet të jesh e kuruar mjaft mirë. Imazhi personal është mjaft i rëndësishem për atë profesional dhe karrierën.

Jeni po aq e mirë në kuzhinë sa edhe në skenë?

Nuk më bie shumë rasti të gatuaj sepse angazhimet jane mjaft të medha. Por atëherë kur jam e lirë është një gjë që e bëj me shumë dëshire.Djali më thotë mastershef kur gatuaj. Më pëlqen të bëj gjëra të veçanta dhe me zbukurime.

Si nis dhe përfundon një ditë e zakonshme e juaja?

Një ditë e imja e zakonshme është mjaft e ngjeshur. Zgjimi është në orën 6 e 30. Është një zgjim mjaft herët dhe pse jo i vullnetshem nga ana ime sepse me lodhjen e ditës është mjaft herët por më duhet të përgatis djalin për ta çuar në shkollë. Më pas vajtja në punë e cila zgjat deri në orën 15:00 -16:00 në varësi të ngarkesës që kemi. Menjëherë pas kësaj vajtja në shtëpi dhe ndonjëherë në këmbë ngrënia e drekës, njëkohësisht me detyrat dhe përgatitjen e mësimeve të djalit sepse në këtë pikëjam shumë kërkuese pasi janë hapat e parë të shkollimit dhe dua që të ketë të njejtën disiplinë dhe seriozitet në shkollimin e tij. Më pas vrapoj në shtëpinë time të dytë që është “biznesi” im i vogël që e zotëroj me shumë pasion që është një palestër baleti ku kam kurse të ndryshme. Por absolutisht që gjej dhe momentet në fundjave që takohem me mikeshat e mia më të ngushta ku preferojmë të darkojmë në qetësi. Mundohem që mos ta privoj veten. Momentet e argëtimit me djalin dhe me miqtë i kemi të shpeshta për aq mundësi sa kemi.

Disa këshilla për studentët e baletit…

Kjo pyetje ka shumë për të folur pasi këshillat janë të shumta. Ajo më kryesorja është që duhet të dinë dhe të ndjejne se ky profesion bëhet me mund, me vullnet, me dhimbje, me force, me djersë, mirësjellje dhe më kryesorja një respekt për njeritjetrin. Egoja pozitive duhet të ekzistojë për të ecur përpara por ajo negativja s’duhet të ekzistoje që të dëmtosh të tjerët sepse ky profesion kërkon që gjithesecili të marrë  atë që meriton.

Nëse je balerinë në Shqipëri, sipas mendimin tuaj, a është e ardhmja e sigurtë?

Unë jam një balerinë në Shqipëri dhe shumë e lumtur dhe e nderuar që kam dhënë këto vite kontribute të miat si soliste e parë për publikun shqiptar. Por vjen një moment dhe mendon që disa gjëra mungojnë që bota jashtë i ka. Këtu tek ne mungon kritika për cilesinë e punës së bërë. Por duhet një kritikë mjaft e pastër dhe jo të kritikohesh sepse dikush duhet të kërcej me doemos. Mendoj sa ka vend për të gjithë. Të marrë secili atë që meriton dhe gjithçka do ishte në funksion maksimumi për të mirë të artit që ne bëjmë. Baleti është kulmi i klasit dhe elegancës.

 

- SPONSOR -Smiley face