Pa mjekimin e duhur që në stadet më të hershme, pasojat e kancerit të gjirit mund të jenë të rënda, duke rrezikuar përhapjen e qelizave kanceroze edhe në pjesët e tjera të trupit.

Mjekët theksojnë se kontrollet e shpeshta ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes, në stadet kur shenjat klinike nuk janë ende të dukshme, duke bërë që trajtimi të jetë më efikas dhe pa pasoja për jetën.

- SPONSOR -Smiley face

Ndonëse dihen një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje, të dhënat e raportuara nga strukturat shëndetësore vënë në dukje se rreth 70 për qind e rasteve të kancerit të gjirit ndodhin tek gra, të cilat nuk kanë faktorë që shtojnë rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri, çka e bën të domosdoshme nevojën e kryerjes së ekzaminimeve të hershme.

Sipas bluzave të bardha të shëndetit publik, kjo sëmundje zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit, të cilat bëhen anormale dhe fillojnë të rriten dhe të përhapen jashtë kontrollit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit.

“Nëse nuk trajtohet, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë, apo të shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Ato mund të përhapen gjithashtu, edhe në pjesët më të largëta të trupit nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut, ose nëpërmjet sistemit limfatik”, saktësojnë ekspertët e shëndetit publik në udhëzuesin e përgatitur mbi kujdesin për parandalimin dhe trajtimin në kohë të kësaj sëmundjeje, përhapja e të cilës gjatë viteve të fundit po merr përmasa shqetësuese.

Faktorët nga se shkaktohet

Ndonëse nuk dihet me siguri se çfarë e shkakton kancerin e gjirit, apo pse disa gra bëjnë kancer gjiri dhe të tjerat nuk e zhvillojnë sëmundjen, janë një sërë faktorësh të cilët ndikojnë në shtimin e riskut për këtë sëmundje.

Konkretisht, të dhënat e strukturave shëndetësore saktësojnë se rreth 99 për qind e kancereve të gjirit zhvillohen te gratë, ku më të rrezikuarat janë gratë në moshë, por nuk mungojnë në listat e të prekurave edhe moshat e mesme.

Gati  80 për qind e kancereve të gjirit janë verifikuar në gratë mbi moshën 50 vjeç. Po ashtu, rezulton se shumica e grave nuk kanë ndonjë anëtar të familjes që ka pasur kancer gjiri.

Po sipas mjekëve, sëmundja nuk mund të shkaktohet nga stresi, apo dëmtime në gji, nga përdorimi i deodorantëve, antidjersave, sytjenave të forta, apo marrja e kafeinës. Ndikim në zhvillimin e kësaj sëmundjeje mund të kenë edhe faktorë të tillë, si: “Nisja e menstruacioneve në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç, përdorimi i mjekimit me hormone për më shumë se 5 vite, mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzëe, përdorimi i alkoolit, duhanpirja, marrja e kontraceptivëve nga goja  e pakontrolluar nga mjeku, mungesa e aktivitetit fizik, si dhe nga konsumi i ushqimeve të pasura me yndyra shtazore”.

Njohja e simptomave dyshuese për tumore të gjirit

Shfaqja e shenjave të dukshme tregon se sëmundja ka nisur të përparojë. Disa shenja që duhen marrë në konsideratë për të vijuar diagnostikimin e mëtejshëm për këtë patologji, janë:

Prekja e një kokrre të fortë në gji, apo nën sqetull, ndryshim të formës apo madhësisë së gjirit, rrudhosje të lëkurës, skuqje të lokalizuara apo të përhapura, ndryshim i thumbit të gjirit, sekrecione gjaku apo dalje lëngjesh nga thithi i gjirit, kore ose luspa në thithën e gjirit, lëkurë në formë portokalli, si dhe dhimbje të vazhdueshme në një pjesë të gjirit tuaj, apo nën sqetull.

Prania e këtyre shenjave duhet që t’ju drejtojë detyrimisht drejt mjekut për të vendosur diagnozën e saktë të sëmundjes, si dhe trajtimit që duhet të ndiqet më pas.

Shpeshtësia e përhapjes së kancerit të gjirit

Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i zakonshëm i diagnostikuar te gratë, mbas kancerit të lëkurës.

Një grua që jeton deri në 80 vjeç do të ketë mundësi për të zhvilluar kancer gjiri në raportin 1 me 8 gra, apo e thënë ndryshe 1 në 8 gra do të zhvillojnë kancerin e gjirit gjatë jetës së tyre. Ndërsa një grua rreth të tridhjetave ka mundësi për të zhvilluar këtë sëmundje në raportin 1 me 233 gra.

Llojet e kancerit të gjirit

Njohja e tipeve të kancerit të gjirit është e rëndësishme për të kuptuar mundësitë e trajtimit.

Bluzat e bardha vënë në dukje se shumica e kancereve fillojnë në kanalet, dhe disa në gjëndrat, ndërsa pjesa tjetër në indet e tjera. Ka dy tipe kryesore, kanceri i gjirit jo-invaziv (jopërhapës), si dhe kanceri i gjirit invaziv (përhapës).

Tumoret joinvazive kanë të bëjnë me rastet kur sëmundja nuk është përhapur nga vendi ku ka filluar, (zakonisht është kanali i qumështit), e cila njihet edhe si karcinoma “in situ”.

Ndërsa rasti invaziv tregon se kanceri i gjirit që është përhapur nga vendi ku ka nisur, duke prekur edhe indet e afërta.

Rreth 75 për qind e të gjithë kancereve të gjirit, janë të formës.

Përhapja e kancerit shpesh përshkruhet si: lokal, rajonal, ose i largët (në distancë). Kanceri lokal nuk është përhapur jashtë gjirit, rajonal ndodh kur është përhapur në nyjet limfatike, zakonisht tek nyjet e sqetullës, si dhe i largët kur është përhapur në pjesë të tjera të trupit, përmes qarkullimit të gjakut, ose sistemit limfatik. Më pas vijon edhe zhvillimi i metastazavetë gjirit.

Testet që duhet të bëni

Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit  janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.

Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulëta të rrezeve X. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X.

Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie. Ndërsa ekzaminimi klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.

Lidhur me llojin dhe shpeshtësinë e testeve që duhet të bëni saktësohet se nëse jeni 40-49 vjeç, duhet të bëni ekzaminim klinik të gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet.

Nëse ju jeni: 50-69 vjeç, ju duhet të bëni ekzaminim klinik të gjinjve nga personeli mjekësor së paku çdo 2 vjet, si dhe mamografi po çdo 2 vjet. Në mosha më të mëdha është mjeku që përcakton sipas kushteve specifike se sa të shpeshta duhet të jenë ekzaminimet që duhet të bëni. Sa më të hershme të jenë kontrollet, aq më e mbrojtur është jeta juaj nga pasojat e rënda të kësaj sëmundjeje.

Pesë format e trajtimit të sëmundjes

Stadi i zhvillimit të sëmundjes dhe kushtet shëndetësore të çdo individi përcaktojnë edhe llojin e trajtimeve që duhet të ndiqen. Në përgjithësi trajtimi i kancerit është kompleks, është multidisiplinar e kërkon një ekip të kujdesit shëndetësor.

“Ekzistojnë pesë lloje kryesore të trajtimit të kancerit të gjirit që janë: kirurgjia, terapia me rrezatim, kimioterapia, terapia hormonale dhe terapia e targetuar (shënjuar).

Plani i trajtimit bazohet në shumë faktorë, duke përfshirë llojin dhe stadin e kancerit, në historinë mjekësore, dhe shëndetin e përgjithshëm të pacientit.

Frika nga rikthimi i sëmundjes

Në përgjithësi, gratë që janë trajtuar për kancer gjiri duhet të kontrollohen për 3 deri në 5 vitet e para pas tij çdo 3-6 muaj dhe më pas një herë në vit.

Gjatë këtyre vizitave mjeku duhet të kryejë një ekzaminim të plotë klinik të gjirit, që përfshin si prekjen e nyjeve limfatike edhe inspektimin vizual për ndryshimet në gji.

Mjeku duhet të pyesë edhe për ndonjë shqetësim që mund të ketë gruaja,apo mund tu rekomandojë edhe ekzaminime laboratorike e imazherike, nëse do të keni nevojë. Të gjitha gratë që janë trajtuar për kancer të gjirit, me përjashtime të pakta, duhet të vazhdojnë të kryejnë mammografi çdo vit. Në disa raste, mund të jetë e rekomanduar rezonanca magnetike.

Gjithashtu gratë mund të kryejnë çdo muaj vetë-ekzaminim e gjirit. Mjeku juaj mund tu tregojë mënyrën e duhur për të kontrolluar për ndryshimet e gjirit. Përveç se duhen të bëni kontrolle të shpeshta shëndetësore për të zbuluar sa më herët rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje, parandalimi ndalet edhe në kujdesin edhe për shëndetin tuaj fizik dhe emocional.

Një dietë e duhur, e shëndetshme me shumë fruta e perime,pa yndyra dhe aktivitet fizik i moderuar, si: ecjet, noti, marrja me lulet, apo ushtrime e ndryshme, mund tu ndihmojnë në rindërtimin e fuqive dhe energjive tuaja, si dhe në luftimin e pasojave të kësaj sëmundjeje.

Për zvogëlimin e rrezikun e prekjes nga kanceri i gjirit, ju duhet të:

  • Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme.
  • Kryeni rregullisht aktivitet fizik.
  • Konsumoni ushqime me yndyra të pakta.
  • Konsumoni perime dhe fruta.
  • Mos konsumoni alkool.
  • Konsultohuni me mjekun për përdorimin e kontraceptivëve .
  • Mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive.
  • Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj.
  • Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj.

Ushqyerja me gji 

Disa studime të kryera kanë treguar se ushqyerja e gji mund të ulë rrezikun për t’u prekur nga kanceri i gjirit. Kjo veçanërisht në rastet kur ushqyerja e fëmijës me gji vazhdon jo vetëm për pak muaj.

Mjekët sqarojnë se nënat që i ushqejnë të vegjlit e tyre me qumështin e gjirit për më shumë se një vit, apo dhe kur vijon ushqyerja deri në vitin e dytë, janë më të mbrojtura nga shfaqja e kancerit të gjirit.

Përdorimi i alkoolit

Konsumi i alkoolit, është parë të jetë i lidhur qartë me riskun e rritur për kancer të gjirit. Ky risk shtohet në varësi të volumit të alkoolit të konsumuar. Një gotë në ditë nuk e rrit në mënyrë sinjifikative riskun për të bërë kancer të gjirit.

Por, ato që pinë nga 2 deri në 5 gota në ditë e kanë 50 për qind më të lartë rrezikun për të shfaqur simptomat e kësaj sëmundjeje, e cila zhvillohet me stade të ndryshme me kalimin e kohës.

Ndërkohë që nuk duhet harruar se përdorimi i tepruar i alkoolit nga femrat shton rrezikun edhe për lloje të tjera tumoresh, si kanceri i gojës, fytit, ezofagut dhe heparit.

- SPONSOR -Smiley face