Kërcimi, përpara se të jetë art, është jetë. Mbi të gjitha, ai ka vlerë kulturore dhe
artistike. Nëpërmjet kërcimit, ne kuptojmë shumë detaje, si p.sh. lindjen, vdekjen,
gëzimin, lumturinë, martesën, dashurinë, luftën etj. Komunikimi në kërcim vjen
nëpërmjet lëvizjeve, gjuhës së gjesteve, instinktit mendor dhe atij shpirtëror, të
cilin, më saktë, mund ta quajmë gjuha e trupit. Është e vërtetë se kërcimi është
një veprimtari fizike, por jo një veprimtari e zakonshme. Ai është një veprimtari
që rrjedh nga vetvetja dhe nga dëshira për të shprehur botën e brendshme me
lëvizje të ndryshme ekspresive. Në vitin 1900 u kërkua rinovimi i një forme
klasike drejt një strukture të re që u quajt kërcim modern. Vlen të përmendet se
kërcimi modern ka sjellë shumë risi në formën e tij strukturale nëpërmjet
lëvizjeve të veçanta dhe dëshirën për të lëvizur trupin në forma të ndryshme. Me
lindjen e kërcimit modern është vënë re frymëzimi i veçantë i të gjithë balerinëve
dhe dëshira e përbashkët për të shprehur dhe për të formësuar drejtime të
ndryshme lëvizjesh. E gjithë kjo dëshirë ka qenë për të lëvizur nga skemat e
pandryshueshme dhe statike të baletit klasik.

- SPONSOR -Smiley face

Siç e thamë më lart, duke qenë se kërcimi modern lindi si një risi në raport me
baletin klasik, i cili ishte shumë skematik, kërkoi ta përfaqësonte veten si një
kërcim i lirë, që fillimisht praktikohej solo dhe në një mënyrë shumë provokuese.
Kërcimi modern çoi menjëherë në ndryshimin e mendimit dhe nuk trajtohej si një
revoltë ose rrymë kundër tradicionales. Teoritë e tij u përhapën ndërmjet viteve
1830-1870 edhe në Amerikë, falë bazës teorike të mbështetur nga koreografi
francez Fransua Delsarte, Loie Fuller, Isadora Duncan, Ruth St Denis, të pasuara
nga Martha Graham dhe Doris Humrey, të cilat u ekspozuan në skenat botërore,
duke zhvilluar disa stile të kërcimit të lirë, që ua mësuan studentëve. Më pas
mësuam që ai u quajt kërcim modern (modern dance) me skema dhe ide të reja.
Megjithatë, vlen të përmendet se teoria e kërcimit modern studion edhe lëvizjet
anatomike, me ndërveprimet e partnerëve gjatë ekzekutimit me muzikën.
Pra, kjo është një teori shumë e gjerë, të cilën e bën në mënyrë shumë artistike.
Kërcimi modern eksploron nuanca të ndryshme, ndërmjet stileve të kërcimit dhe
përpiqet të përcaktojë se përse llojet e kërcimeve janë të ndryshme në llojin e tyre.
Pra, se çfarë duan të thonë këto ndryshime në brendësinë e tyre, ç’domethënie ka
muzika që i shoqëron këto kërcime të ndryshme dhe kultura nga ato vijnë.
Kërcimi modern kërkon gjithmonë që trupi të jetë magjistar, të përcjellë bukurinë
dhe origjinalitetin e natyrës nëpërmjet formave dhe lëvizjeve të tij. Pra, mund të
bëhet një analogji: muzika luhet nëpërmjet instrumentit, ndërsa baleti ka si
instrument trupin. Kërcimi modern është një kuptim shpirtëror i lidhjes
individuale me harmoninë. Të lëvizësh me ndjesinë e frymëmarrjes gjatë një
ekzekutimi sjell një ndjenjë të lirë harmonie.

- SPONSOR -Smiley face