Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

Kam qenë shpesh herë i pranishëm në sallën  e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit, ku janë organizuar përurime të botmeve të ndryshme. Pothuajse në asnjë rast, ajo nuk më është dukur aq e vogël, sa paraditën e sotme. Jo  vetëm karriget e saj, por dhe mjediset anësore ishin tejmbushur me të ftuar. Ndokush, natyrshëm, mund të pyesë: “Pse, çfarë kishte ndodhur?” Në pamjen e jashtme, asgjë e jashtëzakonshme. Ndërsa, kur e mëson, se mikpritësja e tërë  atyre të ftuarëve ishte një vajzë 10-vjeçare, autore e tre librave  poetikë, me emrin Sibora Huda, atëherë e kupton domethënien e asaj, që shkrova më lart.

Sibora e M.Gecaj (Tiranë, 8 dhjetor 2017)
- SPONSOR -Smiley face

Me atë buzëqeshje engjëllore dhe e veshur aq hijshëm, ajo kishte zënë derën e  hyrjes në sallë dhe ua jepte dorën e i falënderonte të gjithë, për ardhjen. Po kështu, veproi dhe me mua, që Siborën e takoja për herë të parë. Ndërsa vetëm kishim shkëmbyer mesazhe përmes Fb dhe ia dinim mirë njëri-tjetrit të dhënat jetësore, si dhe krijmtarinë e botimet. Sapo më pa, ajo m’u hodh në qafë e m’u drejtua: “Mirë se erdhe, xhaxhi Murat! Ja, kjo është mami dhe ai babi im…”. Në fytyrat e të dyve lexoheshin qartë gëzimi e lumturia e natyrshme: Vajza e tyre kishte dy festa së bashku, pra 10-vjetorin e lindjes dhe do të përuronte librin e ri me poezi, “Ky shi…” Duke parë numrin e shumtë të pjesëmarrësve në këto dy ngjarje, si e zënë ngusht, mami i Siborës u shpreh, me buzën në gaz:  “Nuk e parashikonim kështu, se do të kishim gjetur një sallë më të madhe!?”

I ulur pranë një grupi vajzash e djemësh, bashkëmoshatarë e bashkënxënës të Siborës, në klasën e 4-të A, të shkollën 9-vjeçare “Ali Demi” të Tiranës, i shihja se si ata i kishin mbushur plot duart e tyre më buqeta lulesh shumëngjyrëshe e me dhurata simbolike. Prisnin me padurim, që t’ia jepnin të gjitha mikes së tyre të rrallë e, tashmë, e njohur në fushën e letrave, Sibora Hudës. Nuk e di se përse, por mendoja që, ashtu, a nuk do t’i shkonte më bukur emri “Silule…”(ha,ha).

Po, ndërmjet pjesëmarrësve në ato dy festa, ishin edhe poetë e shkrimtarë të moshave të ndryshme, punonjës të arsimit,  kulturës e artit, si dhe nga media e shkruar e ajo elektronike etj.

Koha e fillimit të festave kushtuar Siborës, nuk vonoi. Disa veta zunë vend përpara, siç është bërë  praktikë e njohur. I pari e mori mikrofonin në dorë Agim Xheka, duke kryer detyrën e moderatorit të kësaj veprimtarie të bukur. Tërë shend e verë, gjithnjë duke buzëqeshur, me sy vezullues e duke përshdeetur me dorë të ftuarit në sallë,  pranë  tij rrinte Sibora. Ajo mezi dukej nga buqetat e shumta të luleve, që e kishin mbushur tavolinën e tyre. Agimi nuk u zgjat në fjalën e tij, por tha se kishte kënaqësi t’ia plotësonte dëshirën vogëlushes poete dhe, me atë zërin e tij kumbues, recitoi një poezi të saj.

Pas tij, përshëndeti krijuesi e botuesi i mirënjohur Pandeli Koçi ose, ndryshe, “Sazan Goliku”. As ai nuk i shpëtoi “sëmundjes”, që i përfshiu adhe folësit tjerë, në vazhdim. Pasi nënvizoi, se krijimet e Siborës janë “brumë” i mirë, jo vetëm për lexuesit e vegjël  e të mëdhenj, por dhe për studiuesit e kritikët e letërsisë, lexoi poezi të kësaj autoreje të vogël, që janë botuar në librin  e tretë të saj, “Ky shi…”.

Tërë sallës i dhanë gjallëri edhe folësit e recituesit e tjerë, si: Klara Kodra, Xhelal Luca, Marilena Shena, Ali Hasani… Pranë kisha dy shoqe të klasës së Siborës,_Tea Alhasa e Sofia Qirko. Ato dolën në podiumin përpara dhe jo recituan poezi të Siborës, por  sikur cicëruan, me zërin e tyre të  ëmbël. Prandaj pjesëmarrësit duartrokitën aq shumë.

Duke “thyer rregullat” e për të shpejuar, sepse e dija që, kur të mbyllej kjo ceremoni, do të shkonin shumë veta për të marrë nënshkrimin, unë i  vura përpara Siborës, një kopje të librit të saj të ri. Ajo shkroi aty këto fjalë: “Për Xhaxhi Muratin! Tiranë, 8 dhjetor 2017”.

Në mbllje të këtyre dy festave, pra të ditëlindjes e përurimit të librit të tretë poetik, edhe Sibora Huda tha përsëri pak fjalë, mes gëzimit dhe emocioneve të natyrshme të saj. Nërkaq, drejt tavolinës, ku ajo tashmë ishte ngritur në këmbë, vërshuan fëmijë e të rritur, për ta përqafuar e përgëzuar atë, nxehtësisht.

…Çaste të bukura kaluan të ftuarit, në këtë festë mbresëlënëse edhe në koktejin e shtuar nga familja, me këtë rast. Si gjatë veprimtarisë në sallë dhe aty, me Siborën ata bënë shumë fotografi e filmime, që janë një kujtim i paharruar, për të gjithë pjesëmarrësit.

- SPONSOR -Smiley face