I lindur dështak, me një profesion pa rrugëdalje, i cili nuk i jep asnjë kënaqësi personale e megjithatë, me mjaft vetëdije sa për të dalluar absurditetin e situatës së tij, Çinaski është emblema e njeriut të zakonshëm.


“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë
poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç
do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja
legjendare e Bukowski-t, Henri Çinaski. Rrëfimi nis kur Çinaski, alkolik, i zymtë por i zgjuar, fillon punë si zëvendëspostier pasi merr vesh “se po punësonin thuajse kë t’u dilte përpara, kështu që shkova dhe, pa e kuptuar, e gjeta veten me një çantë lëkure
krahaqafë, duke u endur poshtë e lart sipas qejfit.” Ditët e tij mbushen pak nga pak nga grindjet me shefin dhe nga përleshjet me qentë e me epshin e grave të vetmuara. Netëve, ai dehet dhe merret me të dashurën gjithashtu të alkoolizuar. Puna e postierit mund të ishte puna e ëndrrave, por kjo ëndërr mohohet vrazhdësisht nga realiteti: ai e gjen veten thellësisht të zhgënjyer nga rutina e përditshme dhe nga rregulloret e ngurta të makinës burokratike. Çinaski do ta lërë punën për të provuar fatin e tij tjetërkund, vetëm për të
zbuluar që për njerëz si ai, fati është shumë kokëfortë. Ai punon plot dymbëdhjetë vjet në Postë, i pështirosur nga ai institucion i madh që, në fund të fundit, është vetë jeta.

- SPONSOR -Smiley face

Kritika
Një rrëfim i mrekullueshëm, zbavitës dhe me humor të spikatur i jetës së një njeriu të ngërthyer në një labirint pa krye.
Sunday Times

Të zë prej supesh e të shkund mirë e mirë, sa të kërcëllijnë dhëmbët.
The Times

Fakti që Bukowski shkroi për punën, dhe jo punën e mrekullueshme, por atë të përditshmen e të mërzitshmen, e bën një ndër shkrimtarët më të pazakontë dhe të rëndësishëm të Amerikës.
Howard Sounes, biograf i Bukowski-t

“Vëzhgues” i hollë, i trishtë, finok dhe hokatar, një nga librat më zbavitës që kam lexuar.
Uncut

Posta rrëfen njeriun e zakonshëm që bën gjëra të zakonshme dhe është i hapur dhe i sinqertë në lidhje me realitetin e tij. Ai nuk sajoi asgjë, nuk kishte nevojë. Këtë e di, sepse nuk gënjeu fare as për ne të dy, aq sa u vura vërtet në siklet.
Linda Lee Bukowski

Charles Bukowski ishte shkrimtari legjendar kalifornian, që u bë i famshëm
për veprat e tij gjysmë-autobiografike për jetën e shtresave të ulëta amerikane. Ai lindi në Gjermani më 1920, i ati, asokohe ishte ushtar amerikan me shërbim në Gjermani dhe e ëma gjermane. U kthye në Amerikë në moshën 3-vjeçare. Ai u rrit në Los Anxheles dhe kaloi atje pjesën më të madhe të jetës së tij. Gjatë gjithë jetës botoi më shumë se dyzet e pesë libra në prozë dhe poezi, që të gjithë të përkthyer në mbi një dyzinë gjuhësh. Romanet si “Factotum”, “Bukë me sallam” dhe “Post Office” e bënë këtë alkoolik të përhershëm, e dikur edhe endacak, një shkrimtar të famshëm e të pasur, krijimtaria e të cilit kulmoi në filmin biografik Barfly. Ai vdiq më 1994.

- SPONSOR -Smiley face