Kjo nuk është vetëm saga e një familjeje të pasur, por edhe saga e fajeve dhe përgjegjësive që mblidhen mbi njëra-tjetrën, si të ishin kukulla të vogla të verbra, që na lënë gjithmonë me pyetjen: “Po individi, ç’rol luan këtu?” Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer.

- SPONSOR -Smiley face

I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë.
Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923.

- SPONSOR -Smiley face